Lajmi se Rusia bëhet i pari shtet në botë që aprovon përdorimin e një vaksine eksperimentale kundër koronavirusit të ri u prit me habi në rrethet ndërkombëtare të ekspertëve.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dha të martën e 11 gushtit, garanci për sigurinë e vaksinës duke theksuar se vetë vajza e tij u ishte bashkuar provave laboratorike duke marrë dy doza të produktit të krijuar nga shkencëtarët vendës, dhe përpos temperaturës pas vaksinimit, nuk shfaqte më probleme.
Dyshimet e imunologëve dhe ekspertëve të sëmundjeve infektive nga Londra, Berlini por edhe Uashingtoni vërtiten rreth faktit se autoritetet ruse e kanë çertifikuar vaksinën e fundit pa përfunduar ende fazën e tretë që parashikon testimin e gjerë të saj me mijëra pacientë.
Teksa mungojnë edhe rezultatet e dy fazave të para, njëri prej skeptikëve ndaj vaksinës ruse duket se është edhe kryeinfeksionisti amerikan, Entoni Fauçi.
“Edhe ne kemi rreth 10 vaksina dhe po të duam t’i dëmtojmë njerëzit, që javën tjetër mund t’u japim diçka që nuk funksionon. Por nuk veprohet kështu. Kam dyshime serioze se rusët nuk mund ta provojnë sa e sigurt dhe efikase është vaksina e tyre, ndaj duhet pasur parasysh kjo gjë kur dëgjojmë për njoftime të tilla qoftë nga Kina, qoftë nga Rusia.”
Të mërkurën, Ministria ruse e Shëndetësisë i hodhi poshtë kritikat e Perëndimit me këmbënguljen se vaksina është e sigurt dhe po sulmohet vetëm për arsye konkurrence.
Skepticizëm për vaksinën e re, megjithatë, nuk shprehin vetëm të huajt por edhe vetë qytetarët rusë.
“Faktikisht nuk i besoj kësaj dhe vaksinave ruse në përgjithësi. Patjetër që nuk do vaksinohem.”
“I besoj vaksinës nga përvoja që kam me doktorët. Për sa i përket vaksinimit, do më duhet të vaksinohem sepse duke qenë mësuese, do na e rekomandojnë, do na e detyrojnë.”
“Mendoj se vendi ynë ka shumë përvojë në këtë fushë. Vaksina nuk ka për të qenë më e keqe sesa e kompanive apo vendeve të tjera. Por jam pak i lëkundur për vaksinimin dhe me gjasë do e bëj ndër të fundit sepse kam një punë me rrezik të ulët infeksioni, jo si mësuesit apo doktorët.”
Rusia ka marrë aplikime për 1 miliardë doza nga 20 shtete dhe synon ta rritë kapacitetin duke bashkëpunuar me të shtetet e tjera si Gjermania.
Vaksina “Sputnik-V” përmban viruse të dobësuara apo të modifikuara për të mos u shumëzuar që rritin imunitetin e njeriut, dhe prodhimi në masë pritet të fillojë nga muaji shtator.
Ora news