Gjykata e Prishtinës ka vendosur të shuajë masën e sigurisë arrest në burg 40 ditor, duke sjellë lirimin nga burgu të Fjolla Morinës. Vendimi është marë ditën e sotme, ndërsa gjykata e Prishtinës njëherësh ka refuzuar kërkesën e prokurorisë së Kukësit për ekstradimin e Fjolla Morinës në Shqipëri.
Autoritet kosovare të Drejtësisë ju futën një procedure burokratike, duke argumentuar se nuk mund të ekstradonin Morinën në një kohë kur vendimi i dënimit të saj me 6 vite burgim, nuk kishte marë formë të prerë në Apelin e Shkodrës.
Ndërsa nga ana tjetër prokuroria e Kukësit ka kërkuar ekstradimin e saj duke përdorur vendimin e 1 Marsit 2021 që caktonte masën e sigurisë “arrest në burg” për Fjolla Morinën.
Prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, në një bisedë telefonike tha për “Ora News” se ky vendim është i padrejtë, pasi ndaj Morinës vijon të jetë aktiv një urdhër kërkimi ndërkombëtar.
Gjithashtu Lita sqaroi se sapo Fjolla Morina të dënohet në gjykatën e Apelit në Durrës, menjëherë do i drejtohen me një kërkesë të dytë autoriteteve Kosovare për arrestimin dhe ekstradimin e Morinës në Shqipëri.
Fjolla Morinës i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Masa e paraburgimit i ishte llogaritur prej momentit kur Morina është arrestuar me 17 korrik 2021 në Prishtinë.
Këngëtarja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri. Arrestimi i parë i Fjolla Morinës u bë në shtator të vitit të shkuar, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku këngëtares iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.