Kosova sot në zgjedhje të jashtëzakonshme, Kurti: Synojmë të fitojmë 50% të votave

0
2

Në Kosovë, zhvillohen sot, 28 dhjetor, zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kjo është hera e parë që prej pavarësisë që brenda një viti zhvillohen tre palë zgjedhje. Mbi 2 milionë qytetarë janë thirrur për të votuar.

Rezultati konsiderohet si “kyç” për kapërcimin e ngërçit që po i rëndon shumë ekonomisë, integrimit europian dhe marrëdhënieve me aleatët.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me Vetëvendosjen e tij synon që këtë herë të fitojë 50% të votave për të krijuar të vetëm qeverinë. PDK-ja, forca e dytë politike, synon të fuqizojë sërish pozitat pas një rezultati jo të kënaqshëm në zgjedhjet lokale. Postin e kryeministrit e synon edhe Lumir Abdixhiku i LDK-së.

Rol përcaktues në zgjedhje pritet të kenë edhe rezultatet e AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, prej të cilave varet formimi i qeverisë së ardhshme me koalicione paszgjedhore.

Pas zgjedhjeve të shkurtit, partitë e opozitës refuzuan koalicionin me Albin Kurtin. Ngërçi aktual po i kushton shtrenjtë ekonomisë së Kosovës, pasi nuk po miratohet dot buxheti për vitin e ardhshëm. Penalizohet po ashtu edhe procesi i integrimit europian, që ka lënë të ngrira rreth 900 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së.