Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të riçelë hetimin për gjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
KPK duhet të shpallte sot vendimin për vlerësimin e gjyqtares Kapedani, por pas këtij vendimi seanca e përcaktuar për sot nuk do të zhvillohet.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të riçelë hetimin për subjektin e rivlerësimit Enkeleda Kapedani, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për rrjedhojë seanca e shpalljes së vendimit përcaktuar më datë 19.11.2021 nuk do të zhvillohet. Seanca e radhës do të njoftohet sërish në faqen zyrtare të Komisionit”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Në seancën dëgjimore, KPK ngriti dyshime për disa transferta të bëra nga bashkëjetuesi i gjyqtares, ndërsa DSIK kishte dorëzuar dy raporte, në të parin e konsideronte të pastër nga kriteri i figurës dhe integritetit, te i dyti vlerësonte se Kapedani ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Nga ana tjetër, gjyqtarja e Elbasanit kërkoi konfirmimin në detyrë dhe shtoi se Komisioni nuk duhet t’i merrte parasysh si shkelje videot e publikuara, për të cilat është në hetim disiplinor nga ILD.
Për gjyqtaren Enkeleda Kapedani, disa muaj më parë nisi hetimi nga ILD pas disa videove të publikuara në rrjetet sociale. /j.p/