Kreshnik Hajdari do të vijojë të jetë në krye të bashkisë së Kuçovës. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të KQZ, ku Ilirjan Celibashi tha se nuk ka shkak ligjor të Hajdarit t’i ndërpritet mandati.
“Ne jemi para një fakti ku subjekti vetëdeklaruar tashmë kryetar i Bashkisë së Kuçovës ka paraqitur formularin e vetëdeklarimit. Në vlerësimin e tij, ai nuk ka paraqitur një të dhenë që lidhet me një proces penal apo administrativ në një kohë të caktuar të zhvilluar në territorin e Greqisë. Në vlerësimin e tij, kjo ka qenë e panevojshme për t’u deklaruar. Ajo që ka rëndësi është që kjo e dhënë nuk e përfshin atë në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale për të cilën e ka vendimin përkatës. Ngelet për t’u diskutuar pse ai nuk e ka deklaruar.
Në çdo rrethanë ka pasur detyrimin për ta deklaruar. Edhe në respektim të precedentëve të krijuar nga ky institucion që prej vitit 2020, ne kemi mbajtur qëndrim që nuk ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formularin e vetëdeklarimit rrethana dhe shkaqe që nuk e ndalojnë atë të marrin drejtimin e institucioneve publike. Ndaj vlerësoj që nuk ka një shkak ligjor që kryetari i Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati”, nënvizoi Celibashi.
Ky vendim ka sjell debate mes Celibashit dhe kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Kuçovën Lefter Maliqi. Ky i fundit tha se vendimi është i padrejtë duke e cilësuar si një turp të madh.
“Është turpi më i madh. Diktaturë e pastër”- tha me tone të forta Maliqi. Rikujtojmë se Kreshnik Hajdari ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit se ka qenë i dënuar në Greqi për kalim të paligjshëm të kufirit.