KQZ miraton sasinë e fletëve të votimit, mbi 250 mijë copë për 88 vende/ Ja kush do t’i prodhojë

0
2

Për parlamentaret në Shqipëri, 250 724 fletë votimi më shumë do të prodhohen për diasporën.

Për herë të parë, Komisioni qendror i zgjedhjeve miratoi sasinë e fletëve të votimit që do të prodhojë kompania sllovene Cetis për shqiptarët ane e mbanë botës që do të votojnë më 11 maj nga 88 shtete.

Formula e përllogaritur është numri i të regjistruarve nga jashtë vendit për zgjedhje, 245 808 plus 2% më shumë.

Gjithashtu, për votën e diasporës do të ketë të dedikuar një vend të posaçëm. Nga shtëpitë e emigrantëve drejt e te “parku olimpik i Tiranës”.

Pas listës së sugjerimeve të Bashkisë së Tiranës, KQZ vendosi si mjedisin e përshtatshëm Parkun Olimpik “Feti Borova” për numërimin e votave por jo vetëm. Kjo hapësirë është konceptuar si vendi ku do të kryhen tre procese. Si fillim për përgatitjen e dokumentacionit zgjedhor, ruajtjen dhe administrimin e votave nga jashtë e deri te vlerësimi i votave nga jashtë.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi zbuloi afatet e organizimit, ku nga nga 5 prill, pritet të nis paketimi i zarfeve zgjedhorë.

Parku olimpik është zgjedhur në bazë të kushteve të caktuara në Kodin Zgjedhor dhe është vlerësuar si një objekt me sipërfaqe të madhe; me  kapacitet deri në 1200 persona; është një ndërtesë publike me hyrje të lirë; ka furnizim energjie pa ndërprerje; plotëson kriterin teknik të sipërfaqes së bazuar në numrin e tavolinave të numërimit për numërimin e votave nga jashtë vendit për të 12 qarqet; si dhe ofron kushte për aplikimin e teknologjisë për numërimin e votave nga jashtë.