Partia Socialiste i kërkon kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që votimi elektronik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të zhvillohet dhe në qarkun e Tiranës. Nisur nga propozimi i Komisionit për Durrësin dhe Elbasanin, socialistët kërkojnë dhe kryeqytetin.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka informuar rreth një javë më parë drejtuesit e partive politike se votimi elektronik mund të bëhet vetëm në qarqet e Elbasanit dhe Durrësit. Pavarësisht se ishte kërkuar votim elektronik në pesë qarqe, KQZ tha se kjo është e pamundur.
“Votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e PS.
Në përgjigje të shkresës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste shpreh dakordësinë që votimi elektronik për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 të zhvillohet në Durrës dhe Elbasan, por këtyre qarqeve t’u bashkohet dhe Tirana.
Po ashtu, sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri i propozon komisionit se nëse është e pamundur shtrirja e votimit elektronik në tre qarqe, të miratohet procesi vetëm për Tiranën.
Në të njëjtën linjë është dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit. Kjo forcë politike vlerëson propozimin e institucionit të drejtuar nga Ilirjan Celibashi, por shton se edhe kryeqyteti duhet të përfshihet në votimin elektronik.
“Votimi dhe numërim elektronik në Tiranë, bën më të thjeshtë përpunimin e rezultatit përfundimtar si dhe ofron një proces të drejtë zgjedhor, duke mënjanuar komisionerët politikë të cilët krijojnë vonesa në proces për shkak të lodhjes apo tensioneve midis palëve”, informon LZHK.
Për këto vonesa shpreh shqetësim dhe Partia Socialiste, e cila thotë se Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura) dhe nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votuesit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit.
Letra e plotë e Damian Gjiknurit, dërguar KQZ:
I nderuar Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,
Me shkresën tuaj nr. 2948 Prot., datë 11.10.2024 jemi vënë në dijeni në lidhje me propozimin për zhvillimin e votimit elektronik, në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, në qarkun Elbasan dhe Durrës.
Duke ju falenderuar për mundësinë e ndarjes së mendimeve rreth kësaj çështjeje me rëndësi specifike në procesin zgjedhor, Ju përcjellim propozimin si vijon:
Së pari, shprehim dakortësinë tonë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit.
Së dyti, kërkojmë që votimi elektronik të shtrihet dhe në Qarkun e Tiranës, për arsyet si më poshtë:
Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votusit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit.
Nga ana tjetër, votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.
Tashmë votimi elektronik është një procesi i njohur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Nisur nga fakti që Tirana, e para ka realizuar modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, është krijuar një eksperiencë nga qytetarët në këtë proces.
Nga ana tjetër, është fakt se qarku Tiranë, ofron të gjitha kushtet optimale sa i takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës në tërësippër realizimin me sukses të këtij procesi.
Vlen për tu përmendur, afërsia e KQZ me zonat zgjedhore, pasi do të jetë kjo e fundit që do të trajnojë aktorët dhe do të ofrojë shërbimin për realizimin efektiv të këtij procesi.
Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e dates së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik.
Për të gjitha arsyet e parashtruata më sipër, propozojmë përfshirjen e qarkut Tiranë, krahas qarkut Elbasan dhe Durrës në zhvillimin e votimit elektronik. Në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës.