Kreu i ILD-së prezanton raportin vjetor në Kuvend: Në 2024 morëm 1491 ankesa ndaj gjyqtarëve e prokurorëve

0
2

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, e nisi fjalën e tij duke kujtuar gjyqtarin Astrit Kalanë, i cili u vra një javë më parë në Gjykatën e Apelit.

Teksa prezantoi raportin, ai tha se nuk përfshihen vetëm shifra, por një panoramë e problemeve të sistemit gjyqësor sipas këndvështrimit të ILD-së.

Në tej ai tha se më 2024 ILD mori 1491 ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Së dyti, më lejoni të vlerësoj rolin e rëndësishem të Kuvendit në këtë situatë që kaluam dhe po kalojmë prej ngjarjes në fillim javën e shkuar. Ajo që ndodhi ishte tronditëse për të gjithë. E falënderoj Kuvendin për aktin solemn, të nderimit të gjyqtarit me një minutë heshtje. Solidariteti njerëzor dhe institucional është jetik për t’u përballur me situata të tilla, ku gjetja e kufijve të duhur për të ndarë nga njëra anë problemet e sistemit, pakënaqësitë e bazuara dhe të pabazuara për punën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, dhe nga ana tjetër reagimet ekstreme me çmim shumë të rëndë, është shumë e vështirë.

Me këto ndjesi, kemi përgatitur me kolegët këtë raportim, duke paraqitur këtu jo vetëm shifra, por edhe një panoramë të problemeve të sistemit gjyqësor sot, sipas këndveshtrimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si edhe sfidat që duhet të adresojmë, ne, organet e sistemit të drejtësisë, por edhe të tjerë aktorë institucionalë e publikë.

Kështu, gjatë vitit 2024 janë depozituar pranë ILD, 1491 ankesa te reja ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. 1363 ankesa vijuan te mbartura nga vitet e mëparshme. Ne total, për vitin 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto, janë shqyrtuar 1374 ankesa, nga të cilat 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. Përveç qytetarëve, ankues gjatë vitit 2024 ka patur edhe institucione të sistemit, si kryetar gjykate me 2 ankesa, drejtues të prokurorive me 20 ankesa, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 2 përcjellje për kompetencë dhe Gjykata e Lartë me 4 vendimmarrje për konstatim të shkeljes së afatit të arsyeshëm.

Përveç ankesave më sipër, gjatë vitit 2024, ILD ka shqyrtuar edhe një numër të konsiderueshem kërkesash nga KLP e KLGJ, për vlerësimin e magjistratëve për periudha të ndryshme vlerësimi. Për 118 kërkesa të sjella nga Këshillat, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar 674 ankesa dhe janë në faza të ndryshme trajtimi 11 ankesa. Konkretisht, 578 ankesa janë shqyrtuar, bazuar në 64 kërkesat që ka sjellë KLGJ dhe 9 ankesa janë në faza të ndryshme trajtimi. Ndërsa 96 ankesa janë shqyrtuar për KLP, bazuar në 54 kërkesat që i janë drejtuar ILD-së dhe 2 ankesa janë në fazë shqyrtimi fillestar. Edhe gjatë vitit korrent, dy Këshillat kanë përcjellë kërkesa për ILD në kuadër nevojës për vlerësimin e magjistratëve. 71 kërkesa kanë ardhura nga Këshillat deri në fund të shtatorit, për të cilat ILD ka shqyrtuar 842 ankesa dhe 5 ankesa janë në fazë verifikimi. Pra vetëm për vitin 2024 deri në shtator 2025 janë 1534 ankesa për trajtim nga ILD me kërkesë të Këshillave. Inspektori i Lartë i Drejtëisë ka trajtuar 1516 ankesa, vetëm 18 ankesa janë në proces. Pra është një punë voluminoze dhe trajtimi i tyre bëhet me prioritet për të mos penguar KLGJ-në e KLP-në në proceset e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, edhe në funksion të ngritjeve në detyrë e transferimeve, sipas nevojave të Gjykatave e Prokurorive për të plotësuar vakancat e tyre.

Krahas trajtimit të këtyre dy kategorive të ankesave, gjatë vitit 2024 janë përfunduar 6 inspektime tematike, ndërsa në nisje të vitit kalendarik si zakonisht, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve ka miratuar kalendarin me 6 inspektime tematike.

Gjatë vitit 2024, ka një dyfishim të kërkesave për procedim disiplinor, krahasuar me një vit më parë. Konkretisht për këtë vit janë 11 magjistratë të proceduar, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë për shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit, si:

–              Vonesa të përsëritura ose që sjellin pasoja të rënda apo zvarritje të pajustifikuara të veprimeve dhe/ose akteve procedurale.

–              Mosrespektim i rëndë ose i përsëritur i legjislacionit procedural dhe material ose zbatimi i gabuar i legjislacionit procedural dhe material, kur konstatohet nga një gjykatë më e lartë.

–              Mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi ose gjykimi i çështjes, kur kjo është e detyrueshme, sipas ligjit; shkelje e rregullave të papajtueshmërisë ose të parandalimit të konfliktit të interesit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

–              Përdorimi i statusit të magjistratit, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët.

–              Veprimi, mosveprimi ose sjellja e magjistratit, që sjell përfitime të padrejta ose dëme për palët në një proces gjyqësor ose procedurë hetimore, në kundërshtim me ligjin.

–              Shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me palët, subjektet e tjera të përfshira në proces, me kryetarin, magjistratët e tjerë, si dhe me personelin e administratës gjyqësore.

–              dhe raste kur gjyqtari është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Kështu për 6 gjyqtarë është propozuar masa disiplinore “shkarkim nga detyra” (2 kërkesa janë pranuar, 1 kërkesë është rrëzuar; 1 kërkesë është pezulluar; 2 kërkesa janë në proces në vitin e raportimit)

5 prokurorë janë dërguar për procedim disiplinor në KLP. Për 2 raste është propozuar “Vërejtje konfidenciale”; 3 raste “Ulje e përkohshme e pagës deri në masën 40% për një periudhë njëvjeçare”. (1 kërkesë është pranuar dhe 2 janë rrëzuar, 2 në proces gjatë 2024.)

Nga veprimtaria e vet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka evidentuar disa problematika dhe konkluzione.

  1. Kohëzgjatja e gjykimeve tej afateve të arsyeshme zvarritja e veprimeve hetimore dhe vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore

Efektiviteti dhe standardi i sistemit të drejtësisë, nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm për qytetarët shqiptarë. Për sa vërehet, problematike vijon të mbetet tejzgjatja e proceseve gjyqësore, një problem i evidentuar në mënyrë të vazhdueshme nga ankesat, jurisprudenca e GJEDNj, por dhe në raportet e organizmave ndërkombëtare. Në vendimmarrjen e saj të fundit, GjEDNj ka adresuar edhe rekomandime konkrete për autoritetet vendase, duke theksuar nevojën e plotësimit të vakancave në Gjykatën Administrative të Apelit dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Tejzgjatja e proceseve gjyqësore ndikon drejtpërdrejtë në perceptimin dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, rritja e besimit të të cilit është një nga shkaqet kryesore, për të cilën u ideua dhe u ndërmor reforma në drejtësi.

Nëpërmjet instrumenteve ligjorë në dispozicion, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka adresuar këtë problematikë, nëpërmjet rekomandimeve të natyrës rregullatore dhe administrative, që kanë rezultuar nga inspektimi tematik i kryer pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi kohëzgjatjen e gjykimit të çështjeve gjyqësore, gjatë periudhës 01.03.2023-31.05.2023, inspektim tashmë i konkluduar me rekomandime konkrete për aktorët e sistemit të drejtësisë”, u shpreh ai.