
Kreu i SPAK Altin Dumani, në raportim vjetor në KLP, u shpreh se në vitin 2024 janë krijuar 10 skuadra të reja të përbashkëta, dhe se fokusi i punës së Prokurorisë së Posaçme ka qenë edhe përmbushja e rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Në nisje të fjalës së tij, Dumani shprehu mirënjohje për KLP, lidhur me mbështetjen që ky institucion ka dhënë ndaj Prokurorisë së Posacme.
Ai gjithashtu u shpreh se pavarësisht sfidave SPAK nuk e ka ndalur punën dhe se janë realizuar 3 marrëveshje bashkëpunimi gjatë vitit 2024.
“SPAK ka firmosur 3 marrëveshje, me Irlandën e Veriut, Spanjën dhe Malin e Zi. Viti 2024 është mbyllur me disa vakanca”, tha mes të tjerash Dumani, duke shtuar se ka pasur një bashkëpunim të rëndësishëm edhe me vendet e rajonit.
Gjithashtu theksoi se në 2024 është hartuar një plan strategjik për vitin 2025-2027. Ndërsa sa i takon BKH, siç tha ai, po vijon procedura për rekrutimin e 40 hetuesve.
“Gjatë vitit 2024 janë në hetim 33 ish-zyrtarë. Në vitin 2024 janë 10 funksionarë të lartë publik për të cilët ka pasur vendim të formës së prerë. Hetimet e 2024 tregojnë se korrupsioni i zyrtarëve të lartë është përmes formave të sofistikuara”, shtoi ai.
Gjatë fjalës së tij, Dumani u shpreh: “brenda vitit 2025 synojmë të përfundojmë vënien në funksion edhe të moduleve të tjera. Rritja e kapaciteteve njerëzore është realizuar në bashkëpunim me ekspertë. Prokurorët e Posaçëm janë trajtuar në vazhdimësi me mjete që shërbejnë në specializimin e tyre”.
Më tej theksoi se çdo çështjen me ndjeshmëri publike analizohet menjëherë.
Në këtë takim marrin pjesë edhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë.
