Krifca: Nafta pa taksa vijon për peshkimin, së shpejti nis edhe në bujqësi

0
174

“Përjashtimi fiskal për karburantin që përdor peshkimi vazhdon teksa skema e naftës pa taksa për bujqësinë fillon shumë shpejt për të dytin vit radhazi”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin në interes të pyetjeve të deputetëve të opozitës për këtë çështje.

Krifca tha se, qeveria mbështet me fonde subvencionin e naftës në sektorin bujqësor për vitin 2022 dhe kjo skemë pritet të nisë së shpejti.

Ministrja informoi se peshkatarët do të vijojnë të marrin naftën pa taksa, me çmim burse, krahas lehtësirave të tjera që përfshijnë përjashtimin nga TVSH-ja të rrjetave dhe materialeve të tjera të peshkimit.

Për vitin 2022 fondi në dispozicion të skemës naftë pa taksa në bujqësi, parashikohet të arrijë në 792 milionë lekë.

Subvencioni i naftës në bujqësi është një nga politikat më të mirëpritura nga komuniteti rural. Premtim i kahershëm i shumë qeverive për këtë skemë, por i realizuar për herë të parë në fillim të këtij viti, siguroi mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët që punojnë tokën, duke i lehtësuar ata nga kosto e karburantit në përdorimin e mekanikës bujqësore.

Aktualisht skema e subvencionit të naftës përcakton si përfitues të naftës falas fermerët e kulturave bujqësore, si: bimë arash, misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, thekër, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore; drurët frutorë, perime etj.

Për kultivimin e 1 ha misër një fermer harxhon 190 litra naftë, ku 56 % e saj do të përfitohet me çmim 63,8 lekë/litër.

Aplikimi, për të përfituar nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet online në portalin e-Albania me vetëdeklarim.

Procesi i kontrollit në terren, pas shpërndarjes së naftës te subjektet përfituese, kryhet nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

/r.e/