Një akt i rëndë i dhunës ndaj grave ka tronditur Italinë. Pamela Genini, një modele 29-vjeçare, u vra brutalisht mbrëmjen e djeshme në Milano nga ish-partneri i saj, Gianluca Sonzin, një biznesmen 52-vjeçar. Ai kishte shkuar në banesën e saj për ta bindur të riktheheshin së bashku, por situata mori një kthesë tragjike.
Kur Pamela kuptoi se ai po shfaqte sjellje të dhunshme, kontaktoi një mik të ngushtë dhe i kërkoi ndihmë. Ai menjëherë njoftoi policinë. Pak para se të ndodhte tragjedia, ajo kishte arritur të hapte derën për oficerët, duke u thënë me gjakftohtësi se ishin “dërgesë ushqimi”, por nuk arriti të hapte plotësisht derën. Sonzin e tërhoqi zvarrë drejt ballkonit dhe e goditi me dhjetëra goditje me thikë, duke i marrë jetën.
Policia hyri në banesë pas pak sekondash, por ishte tepër vonë. Pamela kishte ndërruar jetë, ndërsa autori kishte tentuar të vetëvritej duke u goditur në qafë. Ai u dërgua në spital dhe pas stabilizimit, u arrestua.
Pamela ishte një fytyrë e njohur në botën e modës dhe kishte udhëtuar në vende të ndryshme si Milano, Monte Carlo e Dubai për të ndërtuar karrierën e saj. Me origjinë nga Bergamo dhe me një jetë të pasur në përvoja, ajo ishte gjithmonë e buzëqeshur, thonë fqinjët, dhe nuk ndahej kurrë nga qeni i saj, i cili kishte qenë më parë objekt kërcënimesh nga i njëjti burrë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ringjallur debatet mbi mbrojtjen e grave nga dhuna në familje dhe partnerët posesivë. Autoritetet po hetojnë më tej lidhur me historinë e abuzimit që Pamela mund të ketë përjetuar përpara kësaj tragjedie.
/vizionplus.tv