Krimi Ekonomik nis hetimin për ujin e ndotur

0
3

Krimi Ekonomik ka nisur një hetim në terren në Tiranë, pas raportimeve të furnizimit me ujë të ndotur në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë.

Sipas një njoftimi zyrtar të Krimit Ekonomik në Tiranë, dyshohet se në këtë situatë ka ndikuar çarja e tubacioneve të nëndheshme të ujit.

Në njoftim, bëhet me dije se janë kryer veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin ku dyshohet se ka ndodhur çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit.

Po ashtu, sipas Krimit Ekonomik në Tiranë është marrë në pyetje Dorjan Korbeci, me detyrë drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes.

Njoftimi i plotë për mediet:

Sot, më datë 11.04.2025, pas informacioneve të marra nga burime të hapura (rrjetet sociale) lidhur me një problematikë të ndotjes së ujit në disa zona të qytetit të Tiranës, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar janë kryer veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave.

Në vijim të sa më sipër, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes, nga ku dyshohet se ka ndodhur çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit.

Gjithashtu, i është marrë deklarim si person që ka dijeni shtetasit Dorjan Korbeci, me detyrë drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes, i cili ka sqaruar se, në rrugën “Shaban Karaj”, si pasojë e amortizimit, është dëmtuar linja e furnizimit me ujë, duke sjellë si pasojë furnizim me turbullira.

Ndërkohë, sipas mediave është bërë edhe një kallëzim në SPAK ndaj Skerdi Drenovës kreut të UKT.

Lidhur me problemin ka reaguar dje edhe deputeti i PS Erion Braçe, i cili ka ngritur një shqetësim të banorëve të njësisë 5 lidhur me furnizimin me ujë, i cili ka qenë jo i pastër.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se ka pasur një defekt në tek stacioni i ujësjellësit, gjë e cila më pas është riparuar. Braçe thotë se banorët që janë me depozita duhet që të bëjnë pastrimin e plotë të tyre.

‘E di që kemi pasur problemin e madhe të furnizimit me ujë sot, e di që uji në gjithë zonën e njësisë numër 5 përfshirë komunën e Partisit lagjet e poshtme dhe Tiranën e re ka qenë thuajse me dhe.

Ka qenë një defekt shumë i rëndë në dalje të nënstacionit apo tek stacioni tek lana bregasi. Furnizimi i pasdites pas eleminimit të defektit në tubacione ka qenë me ujë të pastër.

Do duhet që banorët që janë me depozita të bëjnë pastrimin e plotë të depozitave dhe ata që janë pa depozita të mbajnë rubinetat hapur që të fillojë që të rrjedhë uji i pastër, kërkojmë ndjesë por janë probleme që ndodhin.

Ujësjellësi e ka riparuar në kohë rekord defektin. Duhet që të pastrojmë depozitat ose të mbajmë rubinetat hapur për ata që marrin furnizimin drejtpërdrejt nga rrjeti’, tha ai.