Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, mori pjesë në prezantimin e fushatës “S’ka Shkurt”, një nismë e mbështetur nga OSBE, që synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e përfshirjes në paligjshmëri dhe krim. Fjalën e tij përshëndetëse, ministri e nisi me një referencë ndaj një urtësie të vjetër shqiptare: “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”, duke e lidhur drejtpërdrejt me mesazhin e fushatës.
“Sot, në epokën e rrjeteve sociale dhe të iluzionit të suksesit të menjëhershëm, kjo shprehje tingëllon më aktuale se kurrë. Në një farë mënyre, ‘S’ka Shkurt’ është përkthimi modern i kësaj urtësie të vjetër shqiptare; çdo rrugë e shpejtë drejt ‘suksesit’ që anashkalon ligjin dhe mundin, në fund të çon më larg nga ëndrrat e tua”, u shpreh Lamallari.
Ministri e cilësoi parandalimin e kriminalitetit tek të rinjtë si prioritet të politikave publike të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tij, investimi më i madh që mund të bëhet është mbrojtja e të rinjve nga rrugët e gabuara dhe ofrimi i alternativave reale për zhvillim. “Angazhimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një sistem drejtësie që ndërhyn herët, që parandalon përfshirjen në krim dhe që ofron mundësi të dyta për ata që zgjedhin të kthehen në rrugën e duhur”, theksoi ministri.
Më tej Lamallari nënvizoi se krimi sot nuk rekruton më vetëm në rrugë, por edhe në hapësirën digjitale, përmes imazheve të luksit dhe narrativave të rreme të suksesit. Pikërisht në këtë hapësirë digjitale, tha ministri, përgjigjja jonë duhet të jetë me një kundër-narrativë të fortë.
Ai përmendi gjithashtu edhe ndërtimin e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, në Mëzez, si një investim madhor në drejtësinë për të mitur, me 7 objekte multidisiplinare sipas modelit francez. “E ardhmja nuk ndërtohet mbi frikën, por mbi besimin; jo mbi mashtrimin, por mbi meritën. Nuk ka rrugë të shkurtra drejt suksesit. Ka vetëm zgjedhje. Dhe zgjedhja e duhur është gjithmonë ajo që respekton ligjin, dinjitetin dhe të ardhmen”, deklaroi ministri Lamallari. Më tej ai vlerësoi bashkëpunimin me OSBE-në dhe Qendrën e Parandalimit të Kriminalitetit për të Mitur dhe të Rinj, duke e konsideruar fushatën një investim në kulturën e ligjshmërisë dhe në forcimin e besimit të të rinjve tek institucionet.


