Kriza e blegtorisë, numri i bagëtive rënie vjetore mbi 11% me 2023

0
53

Numri i bagëtive shënoi ulje në mbi 11 për qind në secilën kategori, gjedhë, dhi dhe dele. Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT në vitin 2023 në të gjithë vendin kishte 263 mijë gjedhë me rënie vjetore 11.5%

Ndërsa numri i të imtave shënoi rënie me 11.7 për qind. Me rënie 16% ishte edhe numri i derrave. Teksa me rritje ishin vetëm shpendët dhe kosheret me nga 2,6 dhe 8.2% secila.

Sipas të dhënave numri i gjedhëve në vitin 2023, është 263.385 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga lopët e qumështit me rreth 88,24% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Në vitin 2023, numri i të leshtave është 1.206.206 krerë. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 83,43% ndaj numrit gjithsej të tufës. Numri i të dhirtave në vitin 2023, është 640.242 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit me 79,96% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Në vitin 2023, numri i krerëve të derrave është 114.833 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dosat me 9,18% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Qarqet më përfaqësues lidhur me mbarështimin e gjedhit për vitin 2023, janë Fieri me 14,76% dhe Korça me 11,76% ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Përqendrimi më i madh i numrit të të leshtave është në qarkun e Vlorës me 28,52% dhe në qarkun e Gjirokastrës me 14,84% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Përqendrimi më madh i numrit të të dhirtave është në qarkun e Vlorës me 28,11% dhe në qarkun e Gjirokastrës me 15,31% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Përqendrimi më madh i numrit të derrave është në qarkun Lezhë me 48,09% dhe në qarkun Shkodër me 21,61% ndaj numrit gjithsej krerëve.

Rënia e popullsisë në fshat dhe mungesa e produktivitet të fermave prej heqjes së skemave të subvencionit po çon numrin e bagëtive në rënie.

Qumështi, prodhimi rënie me 7%

Prodhimi i qumështit në vitin 2023, është 901 mijë tonë ose 7.1% më i ulët se më 2022. Struktura e prodhimit të qumështit është: qumësht lope 84,99%, qumësht dhie 7,85% dhe qumësht dele me 7,16%

Në 2023, prodhimi i qumështit nga lopët është 765.347 tonë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi është 3.157 kg për krerë. Prodhimi qumështit nga delet për vitin 2023, është 64.492 tonë. Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles është 64 kg për krerë.

Prodhimi qumështit nga dhitë në 2023, është 70.730 tonë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit nga dhitë në nivel vendi është rreth 130 kg për krerë. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 135 mijë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve për vitin 2023 është 894 milionë kokrra. Nga ana tjetër prodhimi i mjaltit për vitin 2023 është 5.633 tonë.

Statistikat e blegtorisë për vitin 2023, mbështeten në informacionin administrativ, të mbledhur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i statistikave blegtorisë dhe prodhimeve blegtorale mbështeten në Programin e Statistikave Zyrtare, duke zbatuar klasifikimet dhe përkufizimet sipas rregulloreve përkatëse të BE-së.

Informacioni mblidhet në terren nga specialistët e ekstensionit në të gjithë vendin. Këta specialistë mbledhin të dhëna drejtpërdrejt nga fermerët. Të dhënat blegtorale grumbullohen për numrin e kafshëve që mbarështojnë fermerët si dhe prodhimet blegtorale. /Monitor.al

Kriza e blegtorisë, numri i bagëtive rënie vjetore mbi 11% me