
Bizneset e mbarështimit të shpendëve po përballen me goditje të shumëfishta këtë vit. Fillimisht, rritja e kostove të lëndëve të para, ushqimit dhe energjisë elektrike dhe, së fundmi, shfarosja e 8% të pulave të gjalla në vend nga gripi, po vënë në dilemë ekzistencën e disa pularive. Operatorët lajmërojnë se rikuperimi i dëmeve nga gripi kërkon të paktën pesë muaj kohë. Deri më tani, humbjet nga ngordhja e pulave llogariten në 3,5 milionë euro, ndërsa çmimi i vezës në tregjet me pakicë është rritur në një vit me 65%. Paniku nga gripi po krijon humbje edhe për pularitë e painfektuara, ndërkohë që shkenca nuk njeh raste të transmetimit të gripit te njerëzit.
Blerina Hoxha
Sektori i mbarështimit të shpendëve, më i konsoliduari në bujqësinë shqiptare, i vetmi që plotësonte nevojat e konsumit me mish pule dhe vezë, po përjeton krizë të fortë, që nisi me rritjen e çmimeve të lëndëve të para vitin e kaluar dhe tani me gripin “H5N8” që ka prekur tre pularitë më të mëdha në vend, fillimisht në zonën e Durrësit.
Përhapja e gripit në qarqet e Durrësit, Dibrës Fierit, Divjakës dhe Devollit po sjell efekte negative zinxhir për pularitë në të gjithë vendin, pasi paniku që ka përfshirë qytetarët, ka ulur konsumin mishit dhe vezëve, duke shkaktuar humbje të mëdha për të gjithë sektorin.
Deri më datë 24 mars, Ministria e Bujqësisë raportoi se për shkak të gripit kishin ngordhur mbi 380 mijë shpendë. Deri më këtë datë ka humbur gati 8% e shpendëve të gjallë.
Sipas INSTAT, në vitin 2020, numëroheshin rreth 5 milionë pula në të gjithë vendin, pjesa dërmuese e tyre në 63 stabilimente të organizuara dhe të specializuara për rritjen e shpendëve.
Duke iu referuar vlerës së tregut që aktualisht ka një pulë – mbi 3 euro, vlera e pulave në të gjithë vendin i kalon të 15 milionë eurot, pa llogaritur vezët. Humbjet në pularitë e prekura rezultojnë rreth 3.5 milionë euro.

Problemet që po kalon sektori i shpendarisë po reflektohet te konsumatorët. Çmimi i vezëve, që kishte nisur të rritej edhe para gripit, pësoi një goditje tjetër pas gripit. Në pikat shitjes me pakicë, çmimi i vezës u rrit 15-20%, pas epidemisë së gripit, duke arritur në 24 lekë për kokërr.
Arsyeja e shtrenjtimit të vezëve është përgjysmimi i prodhimit ditor për shkak të ngordhjes të pulave nga influenca aviare, sipas operatorëve prodhues të vezëve. Gripi, i cili ka prekur stabilimentet e pulave për prodhime veze, pritet të sjellë çrregullime në treg, së paku për disa muaj, thotë eksperti Sami Gjergji.
Gripi po shkakton humbje të menjëhershme të kapitalit të pularive të mëdha, teksa zëvendësimi i një pule për vezë, përveç kostove, kërkon të paktën pesë muaj kohë, tha z. Gjergji.
Klima në biznesin e shpendëve dhe vezëve është përkeqësuar që vitin e kaluar, ku çmimet e lëndëve të para, ushqimit dhe energjisë elektrike u rritën. Luan Fagu, i cili zotëron dhe administron pularinë “Veza e Mëngjesit”, tha se, nga mesi i vitit 2021 dhe pas luftës në Ukrainë, kostot e lëndës së parë, (ushqimit) janë rritur me 100%. Sipas tij, paniku i krijuar ditët e fundit nga gripi po dëmton shitjen e produkteve në tregje, duke vënë në vështirësi edhe stabilimentet që nuk kanë probleme.
Në vitin 2020, kompanitë më të mëdha të prodhimit të vezëve në vend realizuan të ardhura 2,4 miliardë lekë, me rritje vjetore 17%, por fitimet pësuan rënie të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKB) të 7 operatorët e mëdhenj raportuan vetëm 30 mijë euro fitime së bashku, me rënie 94% në raport me vitin 2019. Bizneset e shpendarisë po vuajnë rritjen e kostove, mungesën e subvencioneve dhe informalitetin e lartë.
Humbjet nga gripi mbi 3.5 mln euro, shuhen 8% e pulave
Një nga tre operatorët e mëdhenj të tregut të pulave për vezë, i prekur nga influenca aviare e gripit H5N8, pohoi se humbjet deri në mbrëmjen e datës 24 mars përllogariteshin 700 mijë euro.
Humbjet e përgjithshme në tre operatorët e prekur nga gripi, deri më tani, përllogariten deri në 3.5 milionë euro. Kompanitë e prekura aktualisht po merren me administrimin e emergjencës, duke groposur pulat e ngordhura, duke dezinfektuar ambientet në përpjekje për të shpëtuar pjesën që nuk është prekur.
Influenca aviare “H5N8” është një lloj virusi, i cilësuar si gripi i shpendëve dhe shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe pulat e buta. H5N8, megjithëse ka nisur të përhapet që në vitin 1983, deri më tani nuk ka të dhëna të përhapjes te njerëzit.
Ministria pohoi se, nga kontrollet zyrtare në komplekset intensive të mbarështimit të shpendëve me drejtim për prodhimtarinë e mishit, rezultatet tregojnë se janë të pastra. Tashmë është në fuqi urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla.
Urdhri do të zbatohet në tre qarqet ku është konfirmuar vatra e sëmundjes: Durrës, Dibër, Korçë. Urdhri ndalon shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në këto qarqe, si dhe lëvizjen e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla.
Ministria gjithashtu sqaroi se, nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperaturë më të larta se 70 gradë Celsius, siç është dhe procedura normale e gatimit.
Deri në fund të javës së kaluar, pularitë e prekura nuk kanë marrë premtime për mbështetje financiare nga qeveria.
Në bazë të ligjit për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë, fermat e prekura duhet të dëmshpërblehen për dëmet nga gripi, por deri tani nuk ka asnjë premtim nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për dëmshpërblim, tha një nga operatorët e prekur.
Zëvendësimi kërkon të paktën 5 muaj kohë
Zëvendësimi i pulave të ngordhura nga gripi kërkon kohë dhe likuiditet të shpejtë. Sipas Luan Fagut, nga “Veza e Mëngjesit”, për të rritur një pulë për vezë duhen së paku pesë muaj.
Rritja e zogjve kërkon 21 ditë dhe rritja e pulës deri në prodhimin e vezës kërkon edhe katër muaj të tjerë, tha ai. Mirëpo, në këto momente, tregu paraqet vështirësi, pasi nuk ka zogj për prodhim veze, të gatshëm në treg dhe çmimet për një të tillë aktualisht arrijnë edhe deri në 10 euro.
Sami Gjergji, ekspert i fushës, thotë se, zogjtë për vezë nuk prodhohen në Shqipëri, ndryshe nga ata për mish. Janë vezë specifike që vijnë nga tufat prindërore dhe zakonisht pularitë i porositin jashtë.
Aktualisht tregu europian ka problematika dhe çmimi një i zogu për vezë po arrin edhe 10 euro, dhe blerjet bëhen me porosi, pasi në tregje nuk ka zogj të gatshëm.
Që nga porosia e deri në marrjen e vezës së parë duhen së paku pesë muaj, thonë operatorët e tregut, të cilët lajmëruan se gjatë këtij viti, tregu do të përballet me vështirësi. Aktualisht nevojat e konsumit në vend po përballohen nga pularitë e shëndetshme dhe nga importi.
Sektori i shpendarisë është më i konsoliduari në bujqësinë shqiptare. Ndryshe nga degët e tjera të bujqësisë, pularitë plotësojnë nevojat e tregut të brendshëm për vezë dhe mish ule dhe madje janë potencial për eksport.
Sipas të dhënave nga databaza e tregtisë së Kombeve të Bashkuara, eksportet shqiptare të vezëve në vitin 2020 ishin 523 mijë euro, nga 347 mijë euro në vitin 2019. Tregu kryesor i eksportit për vezët është Kosova.

