Kryeministri Edi Rama pritet të bëjë sot publik planin e posaçëm për krizën energjetike të paralajmëruar në vend.
Ditën e djeshme, 8 Tetor qeveria shpalli gjendjen e emergjencës në vend.
Sipas vendimit vendi do të jetë në kushte të emergjencës të furnizimit me energji elektrike deri në datën 15 prill 2022.
Për menaxhimin e saj do të ngrihet një grup ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri
Ndërkohë Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., do të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.
Këto shoqëri do të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
Ndërkohë Partia demokratike thotë se sistemi energjitik në vendin tonë është keq menaxhuar. Lulzim Basha, paralajmëroi padi në SPAK për këtë çështje./OraNews/