Konfindustria i ka bërë kërkesë qeverisë që një prej masave të menjëhershme për krizën energjetike të jetë riformatimi i Qeverisë me një portofol të veçantë për energjinë. Sipas tyre Ministria e Energjetikës mungon si portofol i veçantë duke e lënë të përfaqësuar vetëm si shtojcë të Ministrisë së Infrastrukturës, sektorin strategjik të energjisë dhe karburanteve.
“Konfindustria i kërkon Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, të riformatojë Qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, duke rikrijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë. Kërkesa vjen, duke pasur parasysh shpalljen nga Kryeministri të rrezikut të krizës energjetike në vend. Konfindustria vlerëson, se veprimi i parë i shprehjes së përgjegjësisë qeveritare për përballjen me krizën e sotme, zbulimin dhe luftën e shkaqeve të krijimit të saj me qëllim mos përsëritjen në të ardhmen, duhet të jetë krijimi i Ministrisë së Energjisë.
Një pjesë e rëndësishme e arsyeve të krizës energjetike të sotme vjen nga politikat e gabuara, menaxhimi i dobët, pasojë edhe e mospërfaqësimit të duhur qeveritar. Disa projekte dhe arritje pozitive, në prodhimin dhe përmirësimin e menaxhimit të sektorit te energjetik gjatë mandatit të parë, u ndërprenë në vazhdim“, thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.
Teksa kriza energjetike ka prekur tregjet ndërkombëtare dhe ka filluar edhe vendin tonë, qeveria shqiptare ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe ka hartuar një plan që është prezantuar dje nga kryeministri Edi Rama. Shqipëria nuk do të përjetojë një rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe nuk do të ketë ndërprerje të dritave. Kjo ishte një nga pikat e planit për të mbrojtur konsumatorin. Për përballimin e kësaj krize, që faza agresive pritet të jetë deri në 6 mujorin e vitit tjetër, qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 200 mln euro, 100 prej të cilave do të shkojnë për OSHEE dhe 100 mln euro të tjera për zbatimin e 2 pikave të tjera të planit, pra mos rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit. Rama është shprehur se nuk mund të rriten pensionet dhe pagat minimale 300-500 euro, kjo sepse sipas tij brenda 2 viteve vendi ynë do të falimentonte dhe do të njihte krizën më të madhe të urisë.
Plani i qeverisë për krizën energjetike:
1.Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara
2.Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara
3.Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.
ne perditesim