Në tabelat e Vrojtimit të fundit të Aktivitetit Kreditues, të publikuar nga banka e Shqipërisë, ka një rritje të ndjeshme të nevojës për rifinancimin e borxhit, i cili është i vetmi që ka një balancë pozitive prej 16.1 për tremujorin e dytë të vitit. Sipas Bankës, Vlera pozitive tregon se ky faktor, në rastin konkret rifinancimi i borxhit, ka ndikuar në rritjen e kërkesës për kredi. Ky është tremujori i parë, që ky faktor është në një rritje kaq të shpejtë, që kur Banka e Shqipërisë publikon këtë tregues.
Në të kundërt, nevoja për financim për konsum dhe për blerje banese ka shënuar një rënie të fortë, duke shënuar nivelet më të ulëta historike, që prej tremujorit të parë 2009, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se nevoja për financim për blerje shtëpie shënoi një balancë negative prej -41.6 pikë në tremujorin e parë dhe -15.4 në të dytin, rezultatet më negative që kur raportohen të dhënat, nga viti 2009. Rënia e fortë në tremujorin e parë është e lidhur edhe me situatën e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit që u shoqërua me frikë dhe pasiguri. Individët kanë ndjesi negative edhe për zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, përfshirë çmimet, në tremujorin e parë dhe të dytë, me balanca negative përkatësisht -18.3 dhe -25.9.
Individët nuk mendojnë as të marrin hua për blerje konsumi. Balanca e nevojave për financim për konsum ishte negative si në tremujorin e parë ashtu dhe të dytin, me përkatësisht -36.7 dhe -21.7. këto janë nivelet me negative historike, që ku ka filluar matja e indeksit në vitin 2009.
Vrojtimi tregon se ka një përkeqësim të ndjeshëm të aftësisë paguese të individëve, në tremujorin e parë dhe të dytë të këtij viti, ku balanca negative është përkatësisht me -17.2 dhe -43.7%, nga rreth zero që ishte në vitin 2019, duke shënuar nivelin m ëtë ulët që nga viti 2009.
Mbyllja e ekonomisë për gati tre muaj, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit vlerësohet të ketë dhënë efekt të fortë në ekonomi. Qeveria pret që rënia këtë vit të jetë 4.3%, ndërsa pritshmëritë e institucioneve financiare variojnë nga -5% për FMN dhe Bankën Botërore, deri në -9% nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).Monitor