Kronologjia e ekzekutimit të Nikolinit 300 metra larg banesës, “Toli” i shpëtoi atentatit me eksploziv në 2013/ Dyshimet e gjakmarrjes: 19 prill Nikulaj-19 korrik Lekstakaj

0
4408

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja që mori vëmendjen e të gjithë Shqipërisë, pasditen e 19 korrikut.

Një ekzekutim me automatik, plumbat e të cilit u lëshuan drejt Nikolin (Marku) Lekstakajt, prej një automjeti me xhama të zinj.

Vrasja ka ndodhur në aksin “Lezhë-Shkodër”, sakaq mësohet se mjeti në të cilin gjendeshin dy persona të maskuar ishte duke ardhur prej Shkodrës.

Duke qenë se gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave me një përpikmëri të lartë, dyshohet se atentati ka qenë i mirëorganizuar dhe se viktima 42-vjeçare mund të ketë qenë në përndjekje gjatë gjithë ditës.

Nikolin Lekstakaj, sapo kishte blerë një pije freskuese “Coca-Cola”, në një market në Balldre, vetëm 300 metra larg banesës së tij.

Në zonën ku ka ndodhur vendngjarja nuk ka pasur kamera sigurie, sikurse as gëzhoja, pasi shkarkimi i automatikut është bërë nga brenda mjetit, prej një autorëve, ndërsa tjetri kujdesej për drejtimin e mjetit.

Grupi hetimor është duke bërë këqyrjen e makinës që përdorte viktima, e cila ka qenë në pronësi të vëllait të tij, Bledar Lekstakajt i cili mësohet se ka qenë duke e shoqëruar vëllain e tij, kur ka ndodhur ngjarja. Përpos kësaj, disa persona janë marrë në pyetje, së bashku me shitësen e marketit, të gjendur mes krimit.

42-vjeçari, nuk shfaqej shumë në zonë dhe lëvizjet e tij kanë qenë tepër të reduktuara.

Mësohet se në vitin 2013, atij i është bërë një atentat me eksploziv në makinën që posedonte.

I njohur me pseudonimin “Toli”, i ndjeri ka ndërruar mbiemrin nga Lekstakaj në Marku.

Dyshimet për hakmarrje janë ato që mbizotërojnë pistën e ngjarjes, për shkak të hasmërisë që fisi Lekstakaj ka pasur me fisin Nikulaj.

Në të njëjtën datë, tre muaj më parë, është vrarë Ardian Nikulaj, në lokalin e tij në Shëngjin.

Alfred Elezi, Drejtori i Policisë vendore të Lezhës është deklaruar për mediat rreth atentatit ndaj Nikolin Lestakajt i cili ishte duke dalë nga marketi. Dyshimet e autoriteteve janë për një hakmarrje ose gjakmarrje.

Policia: Sot rreth orës 18:30 morëm njoftimin që u bëra Nikolin Marku Lestakaljt. Nga shërbimet e policisë është ngritur grupi hetimor dhe në koordinim plotë plotë me prokurorinë po punohet për rastin dhe identifikimin e autorit. Jemi ende në hetim. Dyshojmë për hakmarrje ose gjakmarrje. Po sigurojmë të gjitha provat.