Vendimi për zgjerimin e tregut Agro-Ushqimor në Elbasan, një pronë e regjistruar në emër të Petrit Çelës, babait të Suel Çelës, është miratuar jo vetëm nga socialistët, por edhe nga përfaqësues të opozitës në Këshillin Bashkiak.
JOQ ka siguruar një video ku Blendi Himci, ish kryetari i Partisë Demokratike të Elbasanit, shihet duke votuar pro miratimit të vendimit për zgjerimin e tregut, një leje e dhënë më 24 janar nga Bashkia e Elbasanit.
Ky treg, i vetmi i këtij lloji në qytet, është vënë në qendër të debatit publik për shkak të akuzave ndaj Suel Çelës, i shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i një organizate të dyshuar kriminale të përfshirë në trafik droge, atentate, pastrim parash dhe korruptimin e zyrtarëve lokalë.
Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi lejen me argumentin se ajo do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe rritjen e bashkëpunimit mes fermerëve.
Kryebashkiaku socialist i Elbasanit, Gledian Llatja, e cilësoi këtë si një “procedurë standarde”, duke theksuar se nuk kishte pengesa ligjore për kompaninë që të përfitonte lejen.
“Është bërë kërkesë nga një subjekt privat, për një pronë private, për ndërtimin e një tregu publik dhe është miratuar nga Këshilli Bashkiak, meqë kërkon një leje nga Këshilli,” tha Llatja.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, thotë se nuk ka koment mbi vendimet e institucioneve të tjera apo mbi çështjet që janë ende në hetim.