Kufizohet lëvizja e kamionëve, shtohen sportelet në kufi dhe patrullat në zonat e plazheve

0
2

Sezoni veror ka nisur dhe bashkë me të policia e shtetit po merr masa për të ruajtur rendin e sigurinë.

Duke nisur nga kjo fundjavë deri më 15 shtator do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda që transportojnë mallra në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar. Për sezonin veror 2025, përveç sigurisë në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, policia po merr masa për lehtësimin e qarkullimit në pikat e kalimit kufitar për shtimin e sporteleve dhe burimeve njerëzore me qëllim menaxhimin e fluksit turistik.

Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit shërbimi 12-orësh do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare. Në ndihmë të policive vendore do të dërgohen shërbime shtesë, përfshirë punonjës policie me biçikleta që patrullojnë në plazhe.

Shërbimet policore do të përdorin edhe dronë për kontrollin e perimetrit të sigurisë në plazhe, si dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve rrugore. Për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe veprimtarive kriminale, policia rrugore do të përdorë pajisje inteligjente, dronë dhe alkooltestuesit, 24 orë në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe në qendrat e banuara.

Në këtë drejtim po vijon edhe operacioni “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, do të ushtrohen kontrolle për zbatimin e orarit të muzikës dhe ndëshkimin e shkelësve të nivelit të zhurmës. Tashmë, punonjësit e Policisë janë pajisur me aparate të matjes së zhurmave.