Shqipëria pësoi disfatë 1-2 ndaj Ukrainës në “Stadiumin Kombëtar”, duke u renditur në vendin e fundit në Nations League në League B dhe duke rënë kështu nga liga.
Ndeshja nisi me një minutë heshtje, në nderim të djaloshit të mitur 14 vjeçar Martin Cani, i cili humbi jetën ditën e djeshme, pranë shkollës “Fan Noli”, pas një konflikti me një bashkëmoshatarin e tij.
Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për skuadrën tonë përfaqësuese. Ishte minuta e 5, kur një aksion në dukje pa pretendime i miqve u konkludua me gol. Ishte një goditje brenda zonës e Yaremchuk që u devijua nga Ismajli dhe më pas Zinchenko me të majtën e ndali në cepin e djathtë, duke mposhtur Strakoshën.
Por makthi i fillimit për kuqezinjtë nuk u ndal këtu, pasi 5 minuta më pas miqtë bëjnë ç’të duan në zonën tonë, teksa ishte vetë Yaremchuk, që asistohet me kokë nga Konoplya dhe e shef veten të ç’markuar për të shënuar një gol shumë të thjeshtë. 10 minuta lojë dhe tanët e shohin veten në disavantazh të dy golave.
Reagimi i parë i skuadrës tonë erdhi pas një godtije nga Laçi, në një pozicion diagonal me portën, por goditja e mesfushorit preku rrjetën e jashtme. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-2 në favor të ukrainasve, me një lojë tepër të vakët të kuqezinjve.
Pjesa e dytë nis menjëherë me ndryshime në formacion, me Sylvinhon që largon Asanin e Dakun tërësisht në hije dhe aktivizon Bajramin e Uzunin, për t’i dhënë më shumë freski sulmit nga krahët. 7 minuta më vonë edhe Muci i cili ndjen një shqetësim zëvendësohet, me Arbër Hoxhën që merr vendin e tij. Uzuni ishte i pari që provoi në minutën e 58 por goditja e tij me të majtën përfundoi pak mbi kuadrat. Minuta e 74 ishte deçizive teksa Uzuni mbërrin para Trubin tek topi, me këtë të fundit që shkaktoi një 11 metërsh. Penalltinë e mori përsipër Bajrami, i cili u tregua gjakftohtë për golin e 1-2. Ishte sërish Bajrami që i’u afrua golit të barazimit 3 minuta më vonë, por e majta e numrit 10 përfundoi pak mbi kuadrat.
5 minutat shtesë të akorduara nga arbitri portugez Pinheiro nuk dhuruan asgjë, me miqtë që i’u afruan golit të tretë, por Strakosha neutralizoi gjithçka.
Përfundimisht në kryeqytet mundemi 1-2 ndaj Ukrainës, që na parakalon në renditjen përfundimtare të Grupit B1, duke bërë që kuqezinjtë tanë të bien në Ligën C të këtij kompeticioni.