Ne e shikojmë traditën dhe folklorin tonë si të ishte i shenjtë, i paprekshëm dhe sikur na përket vetëm neve, askujt tjetër. Jemi fanatikë dhe po për kulturën tonë jemi të tillë, dhe një nga përfaqësuesit e këtyre “fanatikëve” janë edhe elbasanasit. Kultura e Elbasanit është shumë e veçantë pasi në të përfshihen plot 37 lloje kostumesh popullore autenike dhe vetëm në qytetin e Elbasanit këndohen 209 këngë popullore, bazuar në krijuesit korifej të kësaj muzike, si Isuf Myzyri, Leks Vini, Mustafa Bodini, etj.
Etnologu Thanas Meksi shprehet se nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumologjike e rajonit del e pasur dhe shumë e hershme. Ajo ndahet në katër njësi etnografike: Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit, dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si edhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës.
Kënga dhe vallja popullore elbasanase janë një pjesë e asaj pasurie të madhe të trashëgimisë kulturore të kësaj treve, e cila është prezente në çdo familje e që i shoqëron në çdo hap gëzimet e hidhërimet e tyre.
Sipas etnologut Meksi, dokumenti më i vjetër arkeologjik që ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit është basorelievi i skalitur në gur “figura e nuses ilire.” Ajo i përket shekullit II- III, dhe është gjetur në fshatin Tërbaç të Krrabës, nga disa fshatarë. Një pjesë e kësaj zone vazhdon të ruajë këtë lloj veshje duke u përdorur në kostumet e grave të Krrabës, Funarit, si edhe Godoleshit.
Në shekujt XVI-XVII, merr hov kostumi popullor i grave, prodhimi dhe veshja e tij. Shumëllojshmëria e Kostumeve Popullore në trevën e Elbasanit ka tërhequr interesimin e organizatave ndërkombëtare të Folkut Evropian.
Një pjesë shumë e rëndësishme është edhe kënga e muzika që vetë elbasanasit kanë krijuar.
Etnologu Thanas Meksi thekson: “Elbasani është një nga trevat më të pasura etno-folklorike të Shqipërisë. Në Elbasan këndohet e kërcehet me shumë pasion kënga e vallja popullore qytetare dhe në të njëjtën kohë ruhen me shumë fanatizëm e krenari kostumet tradicionale popullore”.
Kënga dhe vallja popullore elbasanase janë një pjesë e asaj pasurie të madhe të trashëgimisë kulturore të kësaj treve, e cila është prezente në çdo familje e që i shoqëron në çdo hap gëzimet e jetës së tyre. Kënga Popullore e Elbasanit, e shtruar dhe e qetë, e kënduar me dashuri nga i madh dhe i vogël, është kryefjala në çdo familje elbasanase dhe më gjerë në Shqipërinë e Mesme. Çdo gëzim elbasanasi e përcjell me këngën e tij të krijuar nga korifejtë e këngës, Isuf Myzyri, Mustafa Bodini dhe Aleks Vini. Vetëm në qytetin e Elbasanit dhe të Peqinit këndohen 290 këngë popullore, të kënduara në grup dhe vetëm pas viteve ’50 të shek. XX, filloi këndimi i tyre nga solistë. Në 70 vitet e fundit, Elbasani ka pasur këngëtarët më cilësorë popullorë të këngës qytetare, si Zeliha Sinën, Kastriot Tushën, Albert Tafanin, vëllezërit Zena, Mustafa Mehjen, etj. Tri ansamble me emër si “Isuf Myzyri”, “Elba Folku” dhe “Skampa” kanë lëvruar me cilësi gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit këngën popullore në Shqipëri dhe në botë. Rreth 110 orkestrina popullore në pikun e dasmave punojnë në qytetin e Elbasanit dhe dhjetëra këngëtarë popullorë i japin jetë këngës popullore. E njëjta gjë është edhe në fshat, ku këndohet kënga me iso, kënga humoristike, kënga e vallëzuar, etj.
Instrumentet popullore janë një tjetër burim karakteristik i Elbasanit. Nuk ka shtëpi ku nuk gjen dajre dhe në fshat, fyell. Elbasani numëron mbi 20 instrumente popullore si kavalli, bilbili, pipëza, daullja, curlja, zumaja, cingarja, etj. Interesante dhe të veçanta janë ungara e Shpatit, vegël me tela 250-vjeçare dhe krahu i shqiponjës, i Mollasit. Edhe Isuf Myzyri në orkestrinën e tij të vitit 1905 përdorte utin, një instrument me tela. Shumë nga këto vegla muzikore, veç e veç janë shoqëruese, por edhe tingëllojnë në orkestrina të këngëve dhe valleve popullore. Një orkestrinë të tillë krijoi në vitet 1970 në Melizë të Elbasanit, mjeshtri i kavallit, Nevruz Tahiri.
Elbasani shquhet edhe për larminë e valleve popullore. Dy vatra të folkut koreografik popullor me emër janë në Rajcë të Librazhdit dhe Belsh të Dumresë. Rajca kërcen mbi 8 valle popullore, ndërsa Belshi, 23 valle. Në të dyja këto vatra shquhet dora dhe mendja e virtuozëve të valles folklorike Sadi Halili dhe Petref Hysa, të cilët dhe kanë krijuar valle të reja mbi ato ekzistuese. Interesante është lashtësia e valleve të Belshit. Në muzeun e qytetit austriak, Arzya, 60 km në veri të Vjenës, ndodhen 100 relike të princit të Belshit, që datojnë 300 vjet para Krishtit. Në relike gjen gravura të valëzuara, që të kujtojnë lëvizjet interesante të Valles së Njalave, të kërcyer buzë liqenit. Kjo valle që konkurroi në festivalin “World Music” të Toskanës, Itali, në vitin 2002, e detyroi jurinë të ngrihet në këmbë për të ndjekur lëvizjet interesante të saj. Valle të gëzuara janë ato të qytetit të Elbasanit, të Bradasheshit (kujtojmë Vallen malenake, apo vallen e madhe), të Funarit, Tomoricës e Gramshit. E veçantë është vallja dyshe e burrave të Librazhdit dhe ajo humoristike e Gramshit. Vallet e qarkut të Elbasanit ndryshojnë nga krahina në krahinë, në mënyrën e kërcimit, shpejtësinë e lëvizjeve, etj. Ato vazhdojnë t’i mbajnë “në këmbë” ansamblet folklorike të gjithë qarkut.
Në ballafaqim me artin evropian dhe botëror, folku elbasanas ka qenë i suksesshëm. Ansambli i Librazhdit, me vallet e tij të Rajcës dhe ai i Gramshit, me meloditë e fyejve, ka merituar çmime në Francë, Greqi, Maqedoni, Itali, etj., duke demonstruar vlera artistike të papara. Ansamblet e Elbasanit “Isuf Myzyri” dhe “Elba Folk” në Gjermani, Suedi, Turqi, Holandë, Itali, Greqi, me spektaklet e tyre kanë promovuar me dinjitet artin popullor elbasanas. Në Weshmar të Gjermanisë në festivalin e traditës ndërkombëtare në vitin 2004, me veshjet popullore, ansambli “Elba Folk”, me fustanin e nuses së Godoleshit, meritoi vendin e parë, ndërsa në Festivalin Botëror të Folkut në Moskë, në vitin 2007, meritoi “Çelësin e artë”, midis analeve nga tri kontinente. Ky ansambël gjatë 12 vjetëve të ekzistencës së tij ka merituar 5 çmime ndërkombëtare. Vlerësime për etnofolkun elbasanas ka pasur gjithandej, si folk i traditës, interesant dhe i suksesshëm.
Një këngë e vjetër e usta Usuf Myzyrit thotë: “Dhe me m’hek nga Elbasani/ Un s’e shuj këtë sevda…”. Janë vargje që autori ia kushton dashurisë që ka për qytetin e tij…
Bazuar në studimet e Thanas Meksis.