Kur “së shpejti” zgjat pafund! Çfarë po pret Shqipëria që të përdorë plazmën e gjakut në luftën kundër Covid-19?!

0
260

Jemi në fillim të gushtit dhe gjendja nga Covid-19 në vendin tonë paraqitet më e rënduar se në fillim të epidemisë. Ndonëse ekspertët parashikuan që virusi do ulte virulencën e tij që në fillim të qershorit, ndodhi e kundërta dhe sipas parashikimeve të fundit të bëra prej tyre, numri i të infektuarve mund të ulet pas 2-3 javësh.

Ndonëse duket se ende nuk një zgjidhje kundër këtij virusi, përpjekjet kanë treguar të kundërtën. Kështu, në një kohë kur vaksina ende nuk është krijuar pavarësisht përpjekjeve të shumta, bota i ka drejtuar sytë nga një zgjidhje jo eksperimetale, por e vjetër dhe efektive: plazma konvaleshente.

Një vështrim i shpejtë se çfarë është plazma konvaleshente dhe kur ka nisur të përdoret?

Kur një person i infektuar shërohet, gjaku i tij ende përmban anti-trupat që ka krijuar organizmi kundër mikrobit. Këto anti-trupa janë përgjigja e sistemit imunitar të personit të sëmurë për të luftuar mikrobin. Kur një pacient injektohet me plazmën që përmban anti-trupa në formë serumi, pacienti mund të përfitojë mbrojtje shtesë imunitare.

Izolimi i plazmës dhe përdorimi i saj për qëllime terapeutike ka njëqind vite që studiohet.  Kjo praktikë njihet prej kohësh dhe është përdorur edhe në kohën e gripit të vitit 1918, në epideminë e fruthit në vitet 1930 dhe kundër ebolës(kliko), pra nuk kemi të bëjmë me diçka të re, por me një trajtim të eksperimentuar dhe më parë.

Përdorimi i plazmës konvaleshente kundër Covid-19

Eksperimentet e para janë kryer në Kinë në janar të këtij viti. Qasja e tyre u konsiderua si e logjikshme nga ekspertë të tjerë dhe kjo metodë u përqafua edhe në një sërë vendesh, si SHBA, Turqia, Italia, Kroacia, Spanja, Holanda, Austria, Blegjika, Danimarka, Finlanda,Francë, Gjermani, Greqi, Portugali, Zvicër, Norvegji, Britani e Madhe etj.

Përdorimi i saj mund të shpejtojë pastrimin nga virusi, të rrisë numrin e limfociteve plazmatike dhe qelizave NK (qelizat natyrore vrasëse), të zvogëlojë nivelin e laktatit plazmatik dhe të përmirësojë funksionimin e veshkave. Kështu që plazma praktikisht mund të përdoret te pacientët Covid-19 të sëmurë rëndë ose kritikë, por edhe tek pacientët  që nuk janë të sëmurë rëndë.

Atëherë, pse Shqipëria nuk po reagon ende?

Fatkeqësisht, përpjekjet e vendit tonë në këtë drejtim lënë për të dëshiruar, teksa ka vetëm dy ditë që ky trajtim ka filluar të flitet si një mundësi, por në të ardhmen. Në një kohë kur situata duket kritike, çdo minutë vret shumë. Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi, pranoi në një intervistë për RTV Klan se Shqipëria është e vonuar në këtë drejtim, por shtoi se thjesht është në plan për të filluar si praktikë dhe nuk ka ende asnjë detaji tjetër.

Pyetja e madhe në këtë rast është KUR? I kontaktuar nga “iconstyle.al”, Koraqi nuk e ka dhënë ende një deklaratë, teksa mjeku Erion Dasho na shpjegoi se shumë studime kanë dhënë rezultate mjaft të favorshme, ndonëse puna për të vijon ende.

Sakaq, epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se: “Shqipëria ka mundësi ta realizojë diçka të tillë  por kjo varet nga dhurimet e plazmës, dhe dhurimet e gjakut dhe të plazmës janë historikisht minimale në Shqipëri. Pra, teknika është e mundur por dhurimet do hasin në vështirësi.”

Pra, ky shqetësim ngre edhe një herë nevojën që të veprohet edhe më shpejt. Studimet shkencore deri në këtë moment e konfirmojnë terapinë me plazmë, si një terapi të sigurtë dhe potencialisht të dobishme. Në këto kushte mbetet ende e paqartë se përse vendi ynë nuk po reagon sa është në kohë, por po vonohet çdo ditë e më shumë teksa vjeshta është shumë afër…

icon style