Kura natyrore e Covid-19, boronica dhe sherebela shqiptare po kërkohen nga Europa dhe SHBA

0
196

Shtimi i kërkesës në pandemi, për bimët e çajit, boronicës dhe sherebelës nga Europa dhe SHBA, nuk arriti të shfrytëzohet plotësisht nga kompanitë, si mundësi “e artë” për fitime. Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe eksportuesit më të mëdhenj të Shqipërisë kërkojnë ndihmën e shtetit, pasi industria vuan mungesën e investimeve në përpunim. Me investimet e tyre prej gati 30 vjetësh, operatorët arrijë të përpunojnë vetëm 20% të bimëve të grumbulluara

 

Dorina Azo

Pandemia nuk e ndali eksportin e bimëve mjekësore. Pavarësisht krizës nga COVID-19, eksportet e sektorit shënuan rritje. Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e grupit farat vajore, bimët industriale apo mjekësore, u rritën 14,8% me bazë vjetore për 9-mujorin 2020.

Destinacioni kryesor i eksporteve është Gjermania, (më pas produktet përpunohen e shkojnë drejt SHBA-ve). Për 9-mujorin e 2020, rreth 32% e produkteve të këtij grupi u eksportuan në Gjermani dhe rreth 10% e tyre në Austri dhe Spanjë.

 

 

Eksportuesit më të mëdhenj të Shqipërisë pohojnë rritjen e shitjeve të bimëve mjekësore, veçanërisht sherebelës dhe boronicës në vendet e Europës dhe SHBA. Përdorimi më së shumti i çajeve me përmbajtje të vitaminës C në pandemi nxiti rritjen e kërkesës të tyre.

Për operatorët e tregut, mbyllja e kufijve dhe vendosja e kufizimeve të lëvizjeve me jashtë të fermerëve, rriti sasinë e bimëve të mbledhura krahasuar me vjet. Marrëdhëniet tregtare të acaruara mes Kinës dhe SHBA-së rritën kërkesën e kësaj të fundit për bimë mjekësore në tregjet e Europës dhe të Shqipërisë.

Për kryetarin e Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Filip Gjoka, pandemia e gjeti të papërgatitur industrinë për t’u përballur me fluksin e lartë të kërkesës për eksporte. Aktualisht, kompanitë të cilat kanë potenciale grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese arrijnë vetëm 20% e tyre të nxjerrin produkt final të përpunuar, kurse 80% e bimëve të grumbulluara nxirren bruto.

Kompanitë shqiptare e kanë të pamundur financiarisht të blejnë makineri përpunuese që kushtojnë deri në 1 milion euro, prandaj në këtë situatë kërkojnë të ndihmohen nga shteti. Në këtë periudhë, disa kompani që operojnë prej 27 vitesh, po vuajnë edhe vonesat e pagesave deri në 3 muaj, pasi bizneset partnere në SHBA dhe Europë po punojnë online. Më të dëmtuarit nga ky fenomen pritet të jenë eksportuesit e vegjël.

 

Rritja e eksporteve

Filip Gjoka, Kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, deklaroi për “Monitor” se arsyet e rritjes së eksporteve të bimëve medicinale në pandemi janë: përdorimi i tyre nga kompani ndërkombëtare farmaceutike për ilaçe kundër COVID-19 dhe shtimi i kërkesës në tregjet europiane nga SHBA, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën. Sipas të dhënave të shoqatës, vetëm eksportet e bimëve mjekësore u rritën 7,5% në 9-mujorin e 2020 krahasuar me një vit më parë.

“Shumë kompani të mëdha farmaceutike në botë i kanë kthyer ambientet e tyre në laboratorë kërkimesh për gjetjen e medikamenteve për kurimin e COVID-19 dhe të vaksinës. Një pjesë e bimëve që ne eksportojmë, po përdoren për luftën kundër koronavirusit. Rritja e kërkesës është ndikuar edhe nga acarimi i marrëdhënieve të Kinës me SHBA, dhe një pjesë e mirë e tregjeve të këtij të fundit i janë drejtuar Europës dhe vendit tonë për bimë medicinale”, thotë Gjoka.

Edhe sasia e bimëve të mbledhura këtë vit ishte më e lartë se vjet, madje në pikat e grumbullimit u krijua stok. Gjergji Qose, administrator i kompanisë eksportuese “Gjedra”, shpjegoi se kjo ndodhi pasi shumë banorë të zonave rurale, në pamundësi për të siguruar të ardhurat me punë bujqësie jashtë vendit, u detyruan të punojnë në Shqipëri. Z. Qose pohon se kërkesa është e lartë nga shumë shtete, të cilat po i magazinojnë produktet medicinale edhe për 2021.

Kompania “Gjedra” eksporton 150 lloje artikujsh në Gjermani, Francë, Spanjë, SHBA, Koreja e Jugut, Itali etj. “Vetëm në Gjermani eksportuam 150 tonë murriz, e cila është lënda e parë në prodhimin e ilaçeve të zemrës. Kërkesa ka pasur edhe për boronicën që përmban vitaminën C dhe sherebelën që lufton 10 sëmundje dhe përdoret kundër virozave. Në total, në vitin 2019, eksportuam 2,500 tonë bimë mjekësore”.

Sipas administratorit të kompanisë “Albanian Herb”, Kujtim Zere, kërkesa më e lartë ishte për bimët e çajit. Edhe për të, sasia e bimëve të grumbulluara këtë vit ishte shumë më e lartë se në 2019. “Mbyllja e kufijve rriti volumin e grumbullimit të bimëve, pasi shumë individë që siguronin të ardhurat me punë bujqësi në shtetet fqinje, këtë vit punuan në Shqipëri. Avantazh për ta ishte se mbledhja e bimëve mjekësore mund të kryhet në çdo stinë dhe është burim i sigurt për të jetuar”.

Gjatë kësaj kohe, kërkesa më e lartë nga tregjet e huaja ishte për sherebelën. “Kjo është bima më e kërkuar, e cila vazhdon të ruajë trendin rritës në eksporte edhe në këtë periudhë pandemie, më pas është balsami, rrënja e zezë, shtogu, boronica, e cila po përdoret gjerë edhe nga konsumatori vendas. Vihet re rritje e konsumit të bimëve që përdoren për çaj për shkak të COVID-19. Në përgjithësi, trendi i eksporteve është pozitiv.

Parashikojmë që në total, për 2020, eksportet të arrijnë vlerën e 50 milionë dollarëve, apo 5 milionë dollarë më shumë sesa vjet. Për ne, ky nivel eksportesh konsiderohet sukses, duke marrë parasysh pengesën e hasur nga fermerët në tre muaj karantinë për mbledhjen e këtyre bimëve dhe mungesën e investimeve në përpunim”, nënvizoi Kryetari i Shoqatës.

 

Vonesat e pagesave

Pandemia nuk ndikoi as tek aktiviteti i kompanisë “Gjedra”. Të ardhurat në qershor të 2020 ishin në të njëjtat nivele si një vit më parë. Edhe për periudhën korrik-tetor, eksportet mbetën në të njëjtat vlera si në 2019. Të vetmen vështirësi që kompania hasi në këtë periudhë ishin vonesat deri në tre muaj të pagesave për produktet e eksportuara, veçanërisht nga partnerët amerikanë.

“Ne bashkëpunojmë me 10 kompani të SHBA-së, por nëse kontrollon online veprimtarinë e tyre, 7 prej tyre janë përkohësisht të mbyllura. Këto kompani janë duke punuar online. Puna në distancë u ka krijuar probleme te shitjet me klientët. Ky është më shumë një problem i kompanive jashtë sesa për ne. Te kompanitë e reja, vonesat e pagesave mund të çojnë drejt falimentimit, ndërsa për ne që jemi të konsoliduar dhe operojmë në treg prej 27 vjetësh, po arrijmë ta përballojmë këtë dukuri”.

Monitor