Gazetarja Anila Hoxha ngre pikëpyetjet për duart e thyera të shtetasit Arsen Qose i cili u arrestua pak ditë më parë pasi u zhvesh në festën e ditëlindjes së tij.
39-vjeçari u shfaq në Gjykatë ditën e djeshme me duar të fashuara, dhe pretendon se është dhunuar fizikisht nga policia.
Përmes një postimi në Facebook, gazetarja shkruan se nëse nuk ka pasur dhunë dhe Qose ka kundërshtuar forcat e policisë, si shpjegohet fakti që gjykata e liroi menjëherë të riun ndonëse kishte dy akuza.
“Policia duhet të mesojë të paktën njëherë të heshtë nëse sdi dhe sdo të tregojë të vërtetën. Jo të fshehë ngjarje sic hodhën pistoletën nepër rrugica mbasi vranë Klodian Rashën”-përfundon Hoxha.
Kujtojmë se Qose, pak ditë më parë kishte festuar ditëlindjen në barin e një hoteli ku ishte akomoduar në Dajt. Por, në gjendje të dehur, ai ishte zhveshur gjë që ka bërë që pronari i hotelit të thërrasë forcat e policisë e ta denoncojë për lakuriqësi.
Arsen Qose u arrestuar por nga komisariati përfundoi me të dyja duart e thyera në spital dhe për këtë i riu akuzon oficerët e policisë.
Postimi i plotë:
Sa vijon njoftimi i policisë mbi duart e thyera te shtetasit Arsen Qose. Aty nuk sqarohet përse ky shtetas i ka te dyja duart në allci. Sado i dhunshëm , i droguar apo i dehur të ketë qenë, kush ja theu gjymtyrët?
Si ka mundësi që gjykata e liroi menjëherë këtë qytetar , ndonëse i kishin ngarkuar dy akuza, atë të rrahjes se policeve dhe shkaterrimit të pronës.
Dikush gënjen.
Nëse genjeshtari është qytetari , ai sduhej të lirohej, mbasi ka rrezikuar jetën e dy efektivevr të policisë së shtetit!
Nëse gënjen policia , atëherë serisht dikush duhet te mbajë përgjegjesi ! Së bashku me manipulimin e ngjarjes !
Dhe këtë do ta thotë Agjensia e Mbikëqyrjes Policore. Është kjo agjensi që heton dhe sakteson nëse ka patur dhune apo jo .
Policia duhet të mesojë të paktën njëherë të heshtë nëse sdi dhe sdo të tregojë të vërtetën.
Jo të fshehë ngjarje sic hodhën pistoletën nepër rrugica mbasi vranë Klodian Rashën.
Sqarim i Policisë Tiranë
Në lidhje me pretendimet e shtetasit të arrestuar A. Q., 39 vjeç, banues në Tiranë, se Policia ka ushtruar dhunë ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se:
Më datë 14.04.2022, është bërë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, i shtetasit A. Q., 39 vjeç, banues në rrugën “Jordan Misja”, i dënuar më parë për vjedhje, informacion i dhënë dhe për mediat e publikun.
Sqarojmë se me datë 13.04.2022, shtetasi A. H., pronar i një hoteli në rrugën e Dajtit, ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të Policisë, sepse kishte konflikt me një shtetas, (klient në hotel), pasi ky i fundit kishte dalë i zhveshur nga dhoma e hotelit.
Shërbimet e Policisë, kanë kaluar menjëherë në adresën e dhënë, në ambientet e lokalit të hotelit, dhe pasi kanë marrë kontakt me palët e konfliktit, i kanë kërkuar shtetasit A. Q., që të identifikohej.
Shtetasi A. Q., nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të treguar dokumentin e identifikimit dhe ka kundërshtuar me dhunë dy punonjësit e Policisë, duke i ofenduar, goditur e duke iu shkaktuar fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Në ato momente, shërbimet e Policisë, duke vlerësuar situatën dhe rrezikun për shkak të dhunës që po përdorte ky shtetas, kanë kërkuar ndihmën e patrullave të tjera, të cilat kanë kaluar në ndihmë të kolegëve, për shkak të situatës së krijuar nga dhuna që shtetasi A. Q. po përdorte.
Pasi është bërë prangosja e tij dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit, duke marrë shkas nga sjellja shumë agresive dhe nga veprimet tepër të dhunshme, është njoftuar ambulanca dhe është dërguar në spital, dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore, nga stafi mjekësor, është komunikuar se dyshohej se shtetasi A. Q., mund të ishte nën efektin e drogërave shumë të forta.
Pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 4., ku është bërë arrestimi i tij.
Njëkohësisht punonjësit e Policisë janë pajisur me vendime ekspertimi mjeko-ligjor, pasi u dëmtuan si pasojë e dhunës dhe veprimeve agresive nga shtetasi A.Q
Sqarojmë opinionin publik se veprimet e Punonjësve të Policisë janë kryer në përputhje me ligjin dhe procedurën standarte të punës.