Vijon prej të paktën dy javësh misteri mbi zhdukjen e Ervis Martinajt, personazhit të konsideruar si “Mbreti i Lojërave të Fatit”, i cili mendohet se ka arritur një pasuri prej gati 600 milion euro prej aktiviteteve të ligjshme dhe të paligjshme.
Ndërkohë që gazetarët flasin me bindje se kanë parë një video kur ai është kapur nga kundërshtarët e tij, teksa i ofron madje atyre 50 milion euro për ta liruar. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, gazetari Artan Hoxha tha në ABC se në atë video shihej se Martinaj ishte tortuar, ndërkohë që deri më tani nuk ka një reagim zyrtar as nga policia dhe as nga prokuroria se çfarë ka ndodhur realisht me Martinajn.
Tërmeti në botën e mafias
Largimi nga terreni i Ervis Martinajt, qoftë i eliminuar fizikisht apo i zhdukur vetë duket se ka krijuar një realitet të ri në botën e krimit të organizuar në vend, të cilët qarkullojnë qindra miliona euro dhe kanë të infiltruar persona të tyret në polici dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Bëhet fjalë për nivele tepër të larta të krimit të organizuar, të cilët mund të kërcënojnë edhe njerëzit e afërt të ministrave apo kryeministrit.
Lexo KËTU gjithçka mbi Ervis Martinajn
Siç tha gazetari Artan Hoxha në ABC, ridimensionimi i krimit të organizuar nisi në vitin 2018, fill pas masakrës së ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë njëri prej njerëzve të Martinajt, ndërsa ky i fundit u plagos në qafë, raporton abcnews.al.
Kush po “mbretëron” tani?
Gazetari i ABC shprehet se përballë Ervis Martinajt janë organizuar disa grupe kriminale, të cilat kanë patur një qëllim të vetëm: Largimin e tij nga “loja” pasi ishte kthyer në një personazh që kishte prishur balancat e marrëdhënieve mes krimit, politikës dhe botës së biznesit. Hoxha paralajmëroi gjatë intervistës në ABC se grupi në fjalë, i cili ka financa tepër të shëndosha si edhe një grup të armatosur profesionistësh janë ata që do të mbretërojnë gjatë dekadës së ardhshme në fushën e krimit të organizuar.
Sipas tij, ky grup është një “përbindësh” që u krijuar për të hequr qafe Martinajn, ndërkohë që tashmë do të kthehen në një rrezik të madh për vendin pasi kanë gjithçka që iu duhet për të qenë të paprekshëm, qoftë edhe mbështetjen politike, raporton abcnews.al.
Kush e donte të vdekur Ervis Martinajn?
Mësohet se një ndër ndërhyrjet më të forta të Martinajt në këtë trekëndësh ka qenë momenti kur u tentua monopolizimi i tregut ta basteve në Shqipëri, pak vite pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” që e goditi rëndë atë në fund të vitit 2013. Bëhet fjalë sipas Hoxhës për kompaninë “Bast Arena”, në të cilin tentuan të futeshin në lojë një politikan i njohur, i shpallur madje “non grata” nga SHBA-të; një biznesmen i fuqishëm si edhe një i afërmi i një politikani tepër të rendësishëm në vend.
Hoxha u shpreh se me ta mësuar këtë, Martianaj kishte kontaktuar me të tre duke iu thënë se duhej të hiqnin dorë nga kjo tentativë për ta nxjerrë atë tërësisht nga loja. “Bast Arena” u mbyll pak muaj më pas sipas Hoxhës.
Largimi nga skena i Ervis Martinajt mund të çojë në një rigjallërim të tentativave për të monopolizuar tregun e basteve në Shqipëri përmes dhënies së ndonjë licence kombëtare.
Dorëzimi të kundërshtarët
Artan Hoxha tha në ABC se pasi grupi që kishte përballë dukej tepër i fortë dhe me një skuadër “killerash” të pamëshirshëm, Ervis Martinaj nisi kërkimin e aleancave të reja. Fillimisht ai shkoi në Vlorë duke kontaktuar me një personazh të njohur të botës së krimit atje, ndërsa për herë të fundit është parë në një zonë pranë Fushë Krujës, ku është futur në një banesë me qëllim lidhjen e një aleance me një grup kriminal që operon në këtë territor. Hoxha tha se është pikërisht ky momenti ku dyshohet se ky grup e ka “shitur” Martinajn te kundërshtarët e tij, ku ata që e kanë marrë kanë ndërhyrë si një skuadër policie, e veshur me uniformë të Forcave Speciale.
Gazetari thotë se është pikërisht ky momenti kur familjarëve të Martinajt i shkon një mesazh ku shkruhej se “policia do të bëjë kontrolle”. Sipas Hoxhës, fillimisht njerëzit e Martinajt kanë menduar se atë e mori policia, por rezultoi se ishin kundërshtarët e tij.
Megjithatë, pavarësisht videos që qarkullon, e cila është e turbullt dhe nuk identifikohet mirë, policia nuk ka dhënë ende asnjë version mbi një prej zhdukjeve më të mistershme të dekadës së fundit. /abcnews.al