Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja kanë inspektuar punimet në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja” në Elbasan.
Me një investim të qeverisë shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, dhe të bashkisë Elbasan po bëhet rimodelimi dhe rrethimi i minifushave të futbollit, i cili është i vendosur në qendër të qytetit të Elbasanit dhe i shërben jo vetëm ekipeve sportive, por edhe nxënësve të shkollave, studentëve, të rinjve dhe gjithë komunitetit.
Gjatë fjalës së saj Kushi u shpreh se, ky projekt shërben në masivizimin e sportit, përfshirjen e sa më shumë nxënësve dhe të rinjve në aktivitete sportive, por edhe në identifikimin, mbështetjen dhe zhvillimin e talenteve.
“Përfitues të këtij kompleksi janë jo vetëm ekipet sportive, por edhe nxënësit e shkollave, të rinjtë e të rejat, po ashtu edhe komuniteti”, tha Kushi.
Më tej ajo ka shprehur angazhimin e mëtejshëm të MAS në investime të tjera në infrastrukturat sportive. Ajo u ka bërë thirrje të rinjve që të shfrytëzojnë këto terrene sportive, sikurse i ka ftuar edhe të përfitojnë nga projekti i ri madhor “Ekipet Sportive”.