Belgjika e ka eliminuar Portugalinë në kuadër të 1/8 finales, duke kaluar kështu në çerekfinale të Euro 2020.
Portugezët e filluan më mirë takimin, duke rrezikuar me anë të Diogo Jotas qysh ën minutën e gjashtë, por goditja e tij shkoi jashtë kuadratit e portës.
Një tjetër rast serioz për Portugalinë erdhi edhe në minutën e 25-të, kur Cristiano Ronaldo gjuajti nga goditja e lirë, mirëpo Thibaut Courtois bëri pritje fantastike.
Derisa pjesa e parë po shkonte drejt përfundimit, erdhi edhe goli i parë, e që ishte mjaft i bukur.
Nga një distancë prej 22 metrash, Thorgan Hazard shënoi në portën e Rui Patricios, duke zënë në atë befasi.
Në 45 minutat e dytë, Belgjika ishte e pafat, pasi Kevnin de Bruyne u detyrua të lëshonte fushën në minutën e 48-të, për shkak të një lëndimi, e në vend të tij u fut Dries Mertens.
Dhjetë minuta më vonë, portugezët lëshuan një mundësi të mirë, pasi Diogo Jota gjuajti topin mbi portë.
Një tjetër mundësi e artë për Portugalinë e kishte edhe Ruben Dias (82’) që gjuajti me kokë, mirëpo Courtois e ndaloi atë.
Ps vetëm dy minutash, Raphael Guerreiro kishte një tjetër shans të mrekullueshëm, por kësaj radhe Belgjikën e shpëtoi shtylla.
Belgët ia arritën të ruanin epërsinë, duke fituar 1-0, e në çerekfinale do të takohen me Italinë, që mbrëmë eliminoi Austrinë me rezultat 2-1. /Telegrafi/