Ekspertët kanë ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve të kancerit në mushkëri tek individë që nuk kanë pirë kurrë duhan, dhe shkaku kryesor mund të jetë ndotja e ajrit.
Në një studim të publikuar në revistën prestigjioze Lancet Respiratory Medicine, përfaqësues nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) analizuan të dhëna nga burime globale për të kuptuar ndryshimet në llojet histologjike të kancerit të mushkërive.
Sipas studimit, adenokarcinoma është forma më e zakonshme e kancerit të mushkërive dhe shkaku i pestë kryesor i vdekjeve nga kanceri në botë tek ata që nuk kanë pirë kurrë duhan.
Ekspertët raportuan se ndotja e ajrit është një faktor kryesor që ndikon në shfaqjen e adenokarcinomës, duke përbërë 53% deri në 70% të rasteve të kancerit të mushkërive tek personat që nuk kanë konsumuar duhan.
Dr. Freddie Bray, drejtues i degës së mbikëqyrjes së kancerit në IARC dhe autor kryesor i studimit, tha: “Rezultatet japin informacione të rëndësishme për ndryshimet në faktorët e rrezikut, duke ofruar udhëzime për strategji parandaluese më efektive kundër kancerit të mushkërive.”
Ndërsa numri i duhanpirësve ka rënë globalisht, përhapja masive e kancerit të mushkërive tek individë jo-duhanpirës po rritet, duke bërë që studiuesit të kërkojnë hetime të mëtejshme mbi ndikimin e ndotjes së ajrit dhe faktorëve të tjerë të mundshëm.
Ky studim nxit thirrjen për masa të forta për kontrollin e ndotjes së ajrit, si dhe për politikave parandaluese të kancerit në nivel global.