Ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani, i cili u largua në mënyrë të parakohshme nga jeta një ditë më parë pas një arresti kardiak do të përcillet sot në banesën e fundit.
Politikani i ndjerë Gert Bogdani, ndërroi jetë papritur në moshën 44-vjeçare, duke tronditur jo vetëm kolegët demokratë, por të gjithë opinionin publik.
Bogdani humbi jetën pas një arresti kardiak teksa po zhvillonte një takim me miq në një prej hoteleve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Lajmi i trishtë ka prekur shumë njerëz, veçanërisht bashkëshorten e tij, Edlira Çepani, e cila njoftoi përmes rrjeteve sociale detajet e ceremonisë mortore.
Homazhet në nder të ish-deputetit do të zhvillohen sot, më 19 shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë nga ora 10:00 deri në 12:00. Pas kësaj, varrimi do të bëhet në varrezat e Sharrës. Parlamenti Shqiptar ka vendosur të shtyjë seancën plenare, për të lejuar zhvillimin e homazheve.
Ndërsa Partia Demokratike, ku Bogdani ka shërbyer si një figurë e njohur dhe e respektuar, ka shpallur ditë zie më 18 dhe 19 shtator, duke anuluar të gjitha aktivitetet në të gjithë territorin.
Në të gjitha selitë e PD-së, flamuri kombëtar dhe ai i partisë do të ulen në gjysmështizë, ndërsa në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje në nderim të tij.
Ky lajm ka tronditur thellë jo vetëm familjen dhe të afërmit e tij, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe qytetarët që e kanë njohur Bogdanin për angazhimin e tij në politikë dhe për kontributin e tij të vyer në jetën publike të vendit.