Largimi i “bluzave të bardha” nuk ndalet, 800 mjekë të larguar në 5 vite

0
3

Largimet e bluzave të bardha në Shqipëri nuk ndalen.

Të dhënat e siguruara nga Tv Klan nga Urdhri i Mjekut, tregojnë se trendi i largimeve në vitin 2024 ishte i njëjtë me vitet paraardhëse. Konkretisht gjatë vitit që lamë pas 146 mjekë kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë e cila u shërben për punësimet jashtë vendit.

Në 5 vitet e fundit numri i mjekëve të larguar arrin në afro 800. Numri më i madh i bluzave të bardha të cilët kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë, e mban viti 2022, me 191 të tilla.

Fenomeni i largimit të bluzave të bardha i ka krijuar sistemit shëndetësor boshllëqe të shumta, jo vetëm nëpër qendrat shëndetësore të rretheve dhe spitalet rajonalë, por edhe në kryeqytet. Në këtë situatë, shumë shpejt popullsia shqiptare pritet të përballet me mungesën e mjekëve të familjes dhe atyre të urgjencave, degë të cilat nuk preferohen nga mjekët e rinj.

Mungesa e profesionistëve në shëndetësi është një fenomen nga i cili po vuan e gjithë Europa.