Kërkesat e mjekëve për t’u larguar nga Shqipëria duket se kanë pësuar rënie vitet e fundit. Të dhënat e Urdhërit të Mjekut në Shqipëri, tregojnë një ulje graduale të aplikimeve për “certifikatën e sjelljes së mirë”, dokument i domosdoshëm për punësim jashtë vendit.
“Është një trend disi në rënie, rënie e lehtë, në 2022 kemi patur rreth 190 mjekë që kanë kërkuar “certifikatën e sjelljes së mirë”, ndërsa në vitin 2025 e kanë kërkuar 125 mjekë, që kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë pranë urdhërit të mjekut. Kemi një rënie të lehtë, mesatarisht 140 për 5 vitet e fundit”, tha Dritan Trepçe, president i Urdhërit të Mjekut
Një nga arsyet kryesore të këtij ndryshimi, shprehet Trepce, lidhet me zgjerimin e mundësive për kualifikim dhe zhvillim profesional brenda vendit.
“Kemi disa politika që po shkojnë në dretjimin e duhur sic është rritja e pagave dhe vazhdimësua e kurseve të specializimit që janë bërë cdo vit në vendin tonë. Mjekët e rinj e gjejnë veten për tu kualifikuar në vazhdimësi dhe në shqipëri. Kjo ka ndikuar në rënie të kërkesës për tu larguar nga Shqipëria”, shtoi Trepçe.
Megjithatë, drejtuesi i Urdhrit të Mjekut sqaron se “certifikata e sjelljes së mirë” përdoret edhe për ndjekjen e trajnimeve apo eksperiencave të përkohshme jashtë vendit. Po pavarësisht kësaj, ulja e kërkesave për këtë dokument, shihet si një tregues domethënës për ndryshim të prirjes për tu larguar nga Shqiperia./vizionplus.tv


