Trajneri i sapoemëruar i ekipit të Lazios, i ka kërkuar drejtuesve një sulmues krahu për të kompletuar organikën e tij.
Në preferencat e trajnerit toskan, është dhe Xherdan Shaqiri. Futbollisti me origjinë shqiptare, që në të kaluarën ka mbrojtur dhe ngjyrat e Interit është shprehur i nderuar për këtë interesim.
Ai ka folur me elozhe për drejtorin sportiv të Lazios, Igli Tare, duke thënë se ka një respekt për të. I pyetur nga mediat italiane për një rikthim në Itali, 29-vjeçari është përgjigjur: Do të ishte intriguese.
“Igli Tare ka bërë një punë të shkëlqyeshme te Lazio. Ndihem i nderuar për interesimin e tyre. E kam ndjekur Lazion për një kohë të gjatë, është një skuadër e madhe. Sarri luan me formacionin 4-3-3.
I përshtatet karakteristikave të mia dhe më pëlqen trajneri sepse praktikon një futboll sulmues. Do të ishte intriguese një rikthimi im në Itali”, ka thënë Shaqiri.
(BalkanWeb)