
Legalizuan në kundërshtim me ligjin tre objekte në Palasë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq zyrtatët e ASHK-së, kryetarin e fshatit dhe ndërtuesit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq për veprat penale ‘Falsifikim të dokumenteve’, ‘Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ 17 persona, zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), kryetarin e fshatit Palasë dhe ndërtuesit.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.814 të vitit 2020 rezultoi se shtetasit A.V., A.L. dhe F.K, kanë ndërtuar pa lejen e organeve kompetente 3 objekte, 2-katëshe në fshatin Palasë, Himarë, për qëllime fitimi. Këta persona gjatë kohës që kryenin ndërtimin e objekteve pa leje kanë aplikuar në ASHK-në Vlorë për legalizimin e tyre dhe kanë depozituar dokumente të falsifikuara në dosjen e legalizimit.
Për këtë arsye, shtetasit A.V., A.L. dhe F.K. janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi, është marrë i pandehur edhe kryetari i Kryesisë së Fshatit Palasë, shtetasi O.Dh. për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal, të kryer 3 herë, si dhe tre ekspertët I.T., E.P. dhe D.M., për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin dhe në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3 e 25 i Kodit Penal, të kryer 3 herë, pasi kanë hartuar dokumentacion me të dhëna të rreme në përmbajtjen e tyre.
Në këto dokumente janë paraqitur të dhëna të rreme përsa i përket kohës së ndërtimit me qëllim që ato të përfshihen në procedurat e legalizimit, e më pas këto dokumente janë dorëzuar nga të pandehurit A.V., A.L. dhe F.K pranë ASHK-së Vlorë dhe janë bërë pjesë e dosjes së legalizimit.
