Gjykata e Tiranës në seancën e ditës së sotme, ka lënë në burg ish-inspektorin e aeroportit të Rinasit, Briken Tereziu. Mësohet se avokati i Tereziut ka kërkuar masë më të lehtë sigurie me pretendimin se ish-inspektori u vetëdorëzua në Polici dhe se është i pa dënuar më parë.
Terezi është arrestuar pasi përgjimet e nxorrën si bashkëpunëtor të Eneo Sulejmanajt, për kalimin drejt vendeve të BE-së personave që e kishin të ndaluar, kundrejt pagesave që varionin nga 50-500 euro.
Sulejmanaj mbante kontakte të vazhdueshme me kontrollorin e policisë kufitare në Aeroportin Rinas përmes Tereziut, të cilit i dërgonte të dhëna dhe dokumente udhëtimi të personave që nuk iu lejohej udhëtimi drejt vendeve të BE-së dhe ky i fundit personalisht apo nëpërmjet kolegëve të tij, në varësi të problematikave, kundrejt shumave monetare që varionin në vlera të ndryshme, lejonin kalimin e tyre sipas destinacioneve.