
E kryer! Federico Chiesa transferohet te Juventusi. Pas shitjes së Daniele Ruganit te Rennes, Juventus arriti marrëveshjen për kalimin e Mattia De Sciglios te Lyoni dhe mbi të gjitha kthimin e Douglas Costa te Bayerni i Mynihut, duke krijuar kushtet për marrjen e “yllit” të Fiorentinës.
Chiesa kalon te “Zonja e Vjetër” me formë huazimi me detyrim blerjeje për shumën 50 milionë euro në total.
Gjatë orëve të ardhshme do të kryhen ekzaminimet mjekësore dhe nënshkrimi i kontratës.
De Sciglio do të transferohet në Lyoni në huazim, e njëjta formulë është zbatuar edhe për Douglas Costan, i cili do të kthehet në ekipin fitues të Championsit, pjesë e të cilit ka qenë nga 2015 deri në 2017, para se të transferohej në Torino.
Këto dy lëvizje në dalje kanë ulur shpenzimet për pagat, duke e lejuar Juven të përfundojë blerjen e Chiesës me formulën e huazimit 2-vjeçar: 2 milionë euro për vitin e parë dhe 8 të tjera për të dytin.
Në përfundim të huazimit “Zonja e Vjetër” do të jetë e detyruar ta blejë Chiesan për 40 milionë euro, plus bonuset, në bazë të disa arritjeve sportive: klasifikimi mes katër të më të mirave të Serisë A, aktivizimi në 60% të ndeshjeve, qëndrimi në fushë për të paktën 30 minuta për ndeshje ose realizimi i 10 golave dhe 10 asisteve.
© SYRI.net
