📌 Librazhd/Parandalohet një rast i gjuetisë të paligjshme në zonën e mbrojtur “Parku Kombëtar i Shebenikut”.
Procedohen penalisht 3 shtetas që u kapën në flagrancë me armë gjahu, nga shërbimet e Policisë që kryejnë kontrolle në këtë zonë.
Sekuestrohen 3 armë gjahu dhe 2 gjerdanë me fishekë për to, që u gjetën në automjetin e këtyre shtetasve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë të paligjshme të gjuetisë, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në terren, kanë parandaluar një rast të kësaj veprimtarie në zonë të mbrojtur.
Në fshatin Stërblevë, në rrugën që të çon në Parkun Kombëtar të Shebenikut, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 3 shtetas duke udhëtuar me një automjet tip “Suzuki”, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën 3 armë gjahu me leje dhe 2 gjerdanë me 30 fishekë për armë gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, ku nisi procedimi penal për shtetasit O. D., 44 vjeç, L. D., 21 vjeç, dhe R. Sh., 21 vjeç, të tre banues në Elbasan, për veprën penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

