Dhjetëra banorë të fshatit Hotolisht në Librazhd u mblodhën mëngjesin e së dielës, për të bashkuar qëndrimin e tyre kundër projektit për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, që ndan në mes fshatin e tyre.
Makineritë e kompanisë “Fusha sh.p.k” janë afruar pranë fshatit, mirëpo banorët ende nuk dinë se çfarë do të ndodhë me pronat dhe shtëpitë e tyre. Në përgjigje të kësaj paqartësie në informacion, banorët u mblodhën për të diskutuar veprimet që do të marrin në vijim.
“Ajo që jemi kundër është çarja e fshatit në dysh, sepse, jo vetëm që prish fshatin, por ka edhe impakt ekonomik, na ndalon hyrje-daljet, na shkatërron shtëpitë. Në mënyrën se si po e bëjnë, ose ashtu siç e shohim ne, ky është bllokim i kësaj zone, që në perspektivë, për mendimin tim do të thotë shpërngulje,” tha për Citizens Bashkim Nogu, banor i Hotolishtit.
Banorët u shprehën njëzëri se nuk janë kundër zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, por duan që ajo të mos kalojë mes për mes fshatit të tyre, duke ndarë komunitetin.
“As nuk na kanë pyetur dhe as nuk na kanë dhënë informacion. Punimet vazhdojnë. Shkojmë dhe pyesim punëtorët, inxhinierët, të gjithë na thonë nuk dimë gjë se ku do të kalojë. Ne jemi pothuajse 100 familje këtu. Në qoftë se fshati çahet mes për mes, këtu merr çdo gjë fund,” tha Agron Duka, një tjetër banor i fshatit.
Ata mbështetën idenë për kalimin e rrugës përmes një tuneli, si zgjidhja më e mirë. Ndërsa nuk ishin kundër as për kalimin e rrugës krah lumit Shkumbin.
“Rruga, me drejtimin që thuhet, kap midis lagjes dhe mua më vjen në oborr të shtëpisë. Por nuk është vetëm problemi im, është problem i të gjithë lagjes që kap 22 shtëpi poshtë dhe tridhjetë e ca shtëpi lart. Shtrije buzë lumit, siç e ke kaluar në Labinot në Luginë të Shkumbinit për të mos prek interesa,” u shpreh Fadil Alliu.
Sipas tij, është e rëndësishme që edhe dëmshpërblimi, në rast të prekjes së tokave, të jetë me çmim të leverdisshëm.
“Jetojmë në vitin 2030 dhe na likujdojnë sikur jemi para erës sonë, 1600 lekë të vjetra. Çfarë do të thotë 1600 lekë të më marrësh 10 dynym vend? Se nuk kam 1 dynym edhe merre, u pa puna,” vijoi Alliu.
Sipas banorëve gjithë ky proces ka kaluar pa konsultim me ta, ndërsa presin përgjigje të qartë zyrtare se çfarë do të ndodhë me fshatin e tyre.
“Duam përgjigje të saktë, duam me këmbëngulje të bëhet me tunel. Përderisa është problemi i lekëve, atëherë të hidhen ca lekë më shumë dhe të mos dëmtohen banorët. Se nuk është zgjidhje ajo që të prishim shtëpitë, të ardhmen e jetën e tyre se qënka më lehtë dhe kushtuakësha më pak. Kjo kushton më shumë sepse është një dëm kolosal për të gjithë fshatin, lagjen tonë dhe biznesin”, tha Arif Alliu për Citizens.al
Në një përgjigje zyrtare Autoriteti Rrugor Shqiptar i tha Citizens.al se projekti është në rishqyrtim e sipër me qëllim minimizimin e ndikimit në komunitet. Sipas projektit fillestar që kalonte mes fshatit, prekeshin 25 shtëpi banimi.
Banorët nisën një tjetër peticion ndaj Kryeministrit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe në dijeni të institucioneve të tjera përgjegjëse ku shprehën kundërshtinë e tyre dhe marrjen e masave të menjëhershme.
Rishikimin e projektit në këtë moment nga ARRSH-ja, banorët e cilësojnë si nismë për të zbutur zërat e tyre.
“Makineritë po punojnë, ne e shikojmë ku është gjurma. Kur punimet kanë ardhur në rrugë, po prishet rruga e vjetër, syri e shikon që këtu është çarja e fshatit mes për mes. Unë i them kësaj ‘heshtje parazgjedhore’ sepse këta kanë frikën e reagimit qytetar dhe po presin thjesht të mbarojnë zgjedhjet dhe ta çojnë atje ku duan,” tha Bashkim Nogu.
Nëse nuk marrin përgjigje nga institucionet, banorët thanë se do të organizojnë protesta.
Rruga që prek fshatin Hotolisht është faza e tetë e projektit dhe fillon rreth 140 metra nga kthesa për në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë dhe përfundon rreth 300 metra nga kthesa për në fshatin Xhyrë. Kompania fituese për këtë segment është “Fusha”shpk , e cila ka lidhur kontratën më korrik të vitit 2024.
Punimet për rrugën “Elbasan-Qafë Thanë” kanë nisur në janar të vitit 2023. Ky segment është pjesë e Korridorit të VIII që lidh portin e Durrësit me portin e Varna në Bullgari, duke qenë një segment strategjik për transportin e mallrave kryesisht e atë të qytetarëve.
Sipas ARRSH-së në total, të teta lotet e tenderuara deri më tani llogariten të shkojnë në rreth 183 milion euro pa tvsh. Në të teta lotet janë të angazhuara 11 kompani ndërtimi të ndara sipas segmenteve të caktuara./ Citizens.al