Librazhd/ Mësuesit paguajnë vetë transportin, Zyra Arsimore e zhytur në borxhe

0
337

Mësuesit e Shkollës së Mesme së Bashkuar Orenjë, Librazhd denoncojnë në emisionin Fiks Fare mos kompesimin e pagesës së transportit. Këta mësues, iu drejtuan Fiksit pasi prej 1 viti nuk u është kompesuar transporti në destinacionin Librazhd-Orenje

Mësuesit i kanë dërguar një kërkesë Bashkisë Librazhd, ku kërkojnë ngritjen e një komisioni nga ana e bashkisë për verifikim e distancës Librazhd-Orenjë, pasi pretendojnë se kjo distancë është më shumë, si dhe kërkojnë kompensimi e transportit për periudhën prill 2020-mars 2020 të paktën me vlerën 270 lekë në ditë si ka qenë më parë. Këtë kërkesë e kanë dërguar në 10.6.2020 por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Ndërkohë, mësuesit i janë drejtuar Zyrës për Bashkëqeverisje në lidhje me mos kompensimi e transportit. “Duke u nisur nga fakti se shkolla ndodhet mbi 22 km, pagesa është bere për distancën deri 27 km dhe për rrjedhojë pagesa bëhet me 192 lekë bileta.”, shkruhet në përgjigje të Zyrës për Bashkëqeverisje.

Pas kësaj përgjigje, mësuesve do u kompensohet transporti me 192 lekë bileta për vajtje-ardhje në destinacionin Librazhd-Orenjë. Ndërsa, bileta reale për këtë destinacion kushton 500 lekë. Pra mësuesit sërish do të jenë me humbje prej 308 lekësh çdo ditë.
Fiksi iu drejtua Zyrës Arsimore në qytetin e Librazhdit për të marrë një përgjigje se përse këta mësues paguajnë vetë transportin. Ndërkohë, drejtori i Zyrës Arsimore Qamil Mema u shpreh se shkak i mos kompensimit të transportit të mësuesve është bërë bllokimi i fondit pasi Zyra Arsimore ka detyrime ndaj disa gjyqeve të humbura.
Këto procese gjyqësore janë zhvilluar pasi disa mësues janë hequr padrejtësisht nga puna dhe ZA i ka humbur këto gjyqe. Bëhet fjalë për 5 gjyqe të humbura nga të cilat dëmi që shkaktohet është 3.724.815 lekë. Si pasojë e këtyre gjyqeve të humbura, është bllokuar fondi i kompensimit të transportit për mësuesit të cilët i duhet të udhëtojnë nga Librazhdi në Orenjë dhe të paguajnë detyrimet vetë.

TCh