Papunësia është një nga problemet më të mëdha në Bashkinë e Librazhdit, ku sipas të dhënave 3300 familje mbajnë frymën gjallë me ndihmë ekonomike.
Aktualisht janë trajtuar me ndihmë ekonomike rreth 3300 familje, krahasuar me 1800 familje që cilat ishin në vitin 2015, çka përkthehet ndryshe në rritje të varfërisë dhe në rritje të kërkesave për ndihmë ekonomike.
Familjet në qytetin e Librazhdit duket se dita-ditës po vuajnë mungesën e të ardhurave ekonomike. Pjesa më e madhe e familjeve mund të thuhet se janë në luftë për mbijetesë. Shkak për këtë është bërë edhe mungesa e investimeve. Shumë prej fshatrave të Librazhdit e kanë të pamundur që të lëvizin lehtësisht pasi në një pjesë të tyre ka mungesë të theksuar në infrastrukturë.
Nga ana tjetër , shqetësuese dhe problematike është e ardhmja e të rinjve, të cilët edhe pse kanë mundësi që të shkollohen, ato pas përfundimit të gjimnazit zgjedhin të migrojnë brenda vendit dhe më pas të emigrojnë jashtë vendit për mundësi më të mira për të ardhmen.
Shumë prej tokave në fshatrat e kësaj bashkie janë duke u brakstisur dhe duke u kthyer djerrë pasi mungojnë investimet. Problem për këtë mbetet infrastruktura, gjithashtu edhe vaditja.