Këto janë shkallët që të çojnë te godina e Muzeut të Librazhdit. Por, fatkeqësisht atje gjen vetëm godinën e rrënuar, pasi muzeu nuk funksionon më.
Pasi i mbijetoi shkatërrimeve të viteve ‘90 dhe çmendurisë së vitit 1997, muzeu i Librazhdit në mënyrë paradoksale u venit në kohë paqeje. Dhe si për ironi të fatit, në derën e kyçur me hekura të pret vetëm një breshkë që ka arritur atje dalëngadalë, pa u shqetësuar nga askush.
Por, çfarë humbin të rinjtë e Librazhdit në kushtet kur nuk kanë një muze për qytetin dhe trevën e tyre? Ne po përpiqemi ta përmbledhim me rrëfimin e historianit Shaban Gjura, i cili tregon çfarë ka pasur muzeu i dikurshëm: “Ishte e pasqyruar e tërë kultura ilire, qëndresa e madhe antiturke dhe ajo e Skënderbeut. Deri te historia e komunizmit. Ka qenë edhe pjesa e muzeut etnografik”.
Historiani shpreson që premtimet për t’i rikthyer muzen Librazhdit të mos jenë pafund, si deri më tani. Puna për ngritjen e muzeut të Librazhdit ka nisur që në vitin 1974 dhe thuajse 50 vjet më vonë kjo punë nuk është më as e dukshme dhe as e vizitueshme.