Apeli i GJKKO ka lënë në burg ish-deputetin, Alqi Bllako, duke mos pranuar kështu kërkesën e tij për lehtësim të masës së sigurisë.
Ish-deputeti socialist mbetet sërish në qeli, ndërsa në seancën e sotmen në gjyq ai ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij për shpronësimin e tokës ku është ndërtuar inceneratori i Fierit. Siç mëson gazetarja Xhensila Kodra, Bllako është shprehur para togave të zeza se nuk ka asnjë rol në procedurën e kryer.
“Nuk kam asnjë rol më shpronësimin e tokës ku është ndërtuar inceneratori i Fierit”, ka thënë Bllako.
Ndërsa, në lidhje me akuzën e punësimit të babait të tij, ish-deputeti i PS a thënë se nuk ka qenë sekretar në ministrinë e Mjedisit, por i punësuar në Presidencë.
“Në lidhje me punësimin e babait në inceneratorin e Tiranës, nuk kam qenë sekretar në ministrinë e Mjedisit, por i punësuar në Presidencë”, ka thënë ai.
Alqi Bllako kërkoi lirimin nga burgu me argumentin se nuk ka prova për arrestimin e tij. Ish-deputeti pretendon se nuk ka prova, për fajësinë e tij, sakaq argumenton se nuk është i rrezikshëm dhe s’i shmanget hetimit. Por kërkesa e tij është rrëzuar nga Apeli i GJKKO, duke lënë sërish në burg ish-deputetin socialist.
Ish-deputeti socialist akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Nga hetimet ka rezultuar se Bllako në kohën që mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.
Po kështu Bllako dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh. Bllako është zyrtari i dytë i lartë që arrestohet për këtë aferë, pas ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. g.v/abcnews.al