44-vjeçari, Andrew Bode, është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës si ekzekutor i biznesmenit Edmond Papa, ngjarje për të cilën më herët u vu në pranga Albano Velo. Kamera e sigurisë së një lavazhi ndihmoi në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dinamikës së krimit të 16 Dhjetorit.
Andrew Bode, personi që shihni në këtë foto është shpallur në kërkim si ekzekutor i dyshuar biznesmenit Edmond Papa, më 16 dhjetor në kryeqytet.
I lindur në Berat e banues në Tiranë, 44-vjeçari i njohur edhe me identitetin Edvin Bode, ka humbur gjurmët, ndërsa ka dyshime se mund të ketë dalë nga vendi.
Andrew Bode që kishte rolin e qitësit, ndërsa Albano Velo, tashmë i arrestuar, në cilësinë e vëzhguesit u identifikuan mbi bazë të pamjeve të kamerave të sigurisë.
30-vjeçari Velo u filmua duke qarkulluar me një makinë “Audi”me targa belge të cilën e dërgon për ta larë në një lavazh pranë vendngjarjes.
Pak minuta më vonë, ai shfaqet në pamje duke bërë lëvizje të çrregullta teksa merr makinen dhe niset për tek rruga “Fabil Bodinaku”, ku banonte objektivi.
Ekzekutori Andrew Bode, sipas hetimit mbërriti me një makinë Smart të marrë me qira.
Pasi ekzekutoi Edmond Papën në ambientet e një lokali, Bode, ka kaluar nëpër një rrugica dhe ka arritur në vendin ku e priste Albano Velo.
Makina ku udhëtonin është kapur nga një kamera sigurie duke dalë nga rruga “Irfan Tomini” dhe i është drejtuar palatit me shigjeta për tu larguar më pas drejt autostradës.
Sipas vëzhgimit ata janë rikthyer sërisht në Tiranë pas disa orësh por me rroba të ndryshuara nga ato që kishin përdorur gjatë krimit.
Dyshimet janë se vrasja e Edmond Papës mund të ketë lidhje me ekzekutimin me eksploziv të Aleksandër Sadikajt, në qershor të vitit 2022.
Por nuk përjashtohen as pista të tjera.
Prokuroria ka kërkuar thellimin e hetimeve ku në pyetje do të merret Dilaver Velo, babai ish-polic i 30-vjeçarit të arrestuar për vrasje.
“Ora News”