“Liqeni i Zi” në Gramsh, destinacion për të kaluar fundjavën

0
315

Monumentet  e natyrës në rrethin e Gramshit janë kthyer në një atraksion turistik të vërtetë për adhuruesit e natyrës dhe të aventurës.

Një ndër këta monumente është dhe “Liqeni i Zi”, i cili gjendet në lartësinë 1634 m, në afërsi të fshatit Lenie Gramsh.

Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe publikoi disa fotografi me pamje nga ky liqen me orgjinë akullnajore.

“I rrethuar nga peizazhe malore ku liqeni dhe natyra e bukur krijojnë një destinacion të mrekullueshëm për një fundjavë në malet e bukura të Lenies. Këto ditë është periudha për të vizituar këtë bukuri natyrore”, – tha Taçe.

Sipas tij, ky liqen është një nga vendet më të vizituara të zonës së Gramshit.

Përmes bukurisë që i ka falur natyra, joshja e këtij liqeni i dedikohet sipas gojëdhënave dhe faktit që ujërat kanë veti kurative. Efekti në kurimin e sëmundjeve mendohet se qëndron pikërisht në temperaturën e ulët të ujit që shkon nga 2.5 në 3 gradë Celsius dhe në përmbajtjen e kripërave minerale.

“Muaji më i mirë për ta vizituar është gushti, ndaj përgatituni për një eksperiencë mjaft të freskët”, tha Taçe.

Ai i sugjeron adhuruesve të natyrës se mund të ngrenë kamping duke qenë se janë krijuar ambiente të përshtatshme për të pritur pikërisht këtë lloj turizmi.

“Në këtë mënyrë do e bënit dhe eksperiencën tuaj më unike dhe të paharrueshme”, shprehet Taçe.

Sipërfaqja përreth liqenit është e pasur me drurë e grupe drurësh të llojit  ah dhe rrobull, ku derdhen dhe burojnë shumë burime malore me ujë të pastër. Uji i liqenit frekuentohet nga shumë  individë dhe për bërjen e banjove për kurimin e sëmundjeve reumatizmale, numri i të cilëve ka ardhur në rritje./k.s/j.p/