Lirohet nga qelia boksieri Florian Marku, i ndalohet dalja nga vendi

0
2

Boksieri Florian Marku ka lënë qelinë në Gjermani, ku u arrestua pak ditë më parë për shkak të një dënimi të pakryer në Greqi.

Historia e Markut me drejtësinë lidhet shtatë vite më parë dhe duket se shteti grek kërkon ekstradimin e tij.

Tanimë Marku do presë vendimin në gjendje të lirë dhe nuk mund të largohet nga Gjermania pa pritur se si do vendosë drejtësia dhe mundësinë për ekstradimin në Greqi.

32-vjeçari ishte duke udhëtuar nga Anglia drejt Gjermanisë para disa ditësh, teksa në hyrje të kufirit i është bërë me dije një urdhër-arresti nga shteti grek.

Bëhet fjalë për një çështje të shumë viteve më parë kur Florian Marku ishte në moshën 18-vjeçare. Në atë kohë, për shkak të një sherri në Selanik, ai është arrestuar me akuzat e plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Më pas boksieri është dënuar me 7 vite burg, por ka kryer vetëm 1 vit e gjysmë.

Palës mbrojtëse i është thënë se Florian Marku duhet të kryejë pjesën e mbetur të dënimit dhe vetë boksieri e ka pranuar atë. Burime pranë familjes së 32-vjeçarit thonë se Marku duhet të kryejë rreth 6 muaj burg për ta quajtur çështjen të mbyllur.