LIVE/ Shqiptarët bëhen bashkë kundër shtrenjtimit të çmimeve, mijëra qytetarë përballë Kryeministrisë. Protesta edhe në rrethe

0
186

Mijëra qytetarë janë mbledhur në Tiranë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe ushqimeve gjatë muajve të fundit. Protestuesit kanë vijuar nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Qytetarët kërkojnë nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme për stabilizimin e çmimeve dhe shmangien e abuzimeve në treg. Krahas kësaj, qytetarët kërkojnë edhe lirimin e dhjetra protestuesve të ndaluar gjatë tre ditëve të mëparshme.


Protestat vijojnë edhe në Lezhë, Durrës, Pogradec dhe Lushnje. Abcnews.al ju sjell të plota zhvillimet e sotme si më poshtë:

11:10 –  “Boll na vodhët”, qytetarët në këmbë për rritjen e çmimeve, mbushin sheshin Skëndërbej

Qytetarët kanë nisur grumbullimin e tyre për protestën e paralajmëruar të nisë në orën 11:00 nga Sheshi Skëndërbej.  Prej tre ditësh me radhe në kryeqytet kanë vijuar protesta para kryeministrisë ku qytetarët kërkonin uljen e çmimit të ushqimeve dhe të karburantit.

Paraditen e kësaj të shtune me pankarta në duar qytetarët janë grupuar në shesh për të kërkuar të drejtën e tyre dhe për rritjen abuzive të çmimeve të ushqimeve dhe të karburantëve në vendin tonë.

“Boll na vodhët”, është pankarta më e madhe që qytetarët që janë në vijën e parë të protestës mbajnë në dorë.

Ndërkohë kujtojmë se përveç Tiranës protestat vijojnë në çdo qytet të vendit ku duket se tashmë revolta e qytetarëve është e madhe për shkak të vështirësive ekonomike në të cilën ato ndodhen.

Në të njëjtën orë që ishte paralajmëruar protesta në Tiranë, qytetarët janë grupuar dhe në qytete të tjera nga veriu në jug ku shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes.

11:01 – Qytetarët drejt Kryeministrisë, pjesëmarrje e madhe në protestë

Ka nisur marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Ashtu sikurse ishte lajmëruar qytetarët u mblodhën në shesh për të vijuar më pas drejt bulevardit.

Gazetari Ermal Vija raporton se pjesëmarrja në këtë protestë është e lartë. Qytetarët kanë ardhur nga qytete të ndryshme të vendit. Ata mbajnë pankarta në duar dhe kërkojnë uljen e çmimeve.

“Boll na vodhët” është banderola që shoqëron këtë protestë. Sakaq, kjo është dita e katërt e reagimit qytetar që kundërshtojnë rritjen e karburantit dhe çmimeve të produkteve.

10:40 – Rama reagon pak minuta para protestës: Kemi gati paketën kundër krizës së çmimeve

Kryeministri Rama ka reaguar pak minuta para protestës së madhe të njoftuar përballë kryeministrisë duke theksuar se ka bërë gati paketën e rezistencës sociale për të përballuar pasojat e krizës së çmimeve.

Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me foto nga mbledhja e qeverisë, kryeministri shprehet se janë në përfundim të punës për këtë paketë, të cilën do ta shpalosin në ditët në vijim.

Kryeministria – Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare“, shkruan Rama në Facebook.

Qytetarët pritet të protestojnë pak minuta më vonë para Kryeministrisë në Tiranë si edhe në qytete të tjera të vendit kundër rritjes së çmimeve. Kjo është dita e katërt e protestave, ndërkohë që gjatë tre ditëve të para është bërë e mundur ulja deri diku e çmimit të karburanteve. Krahas këtyre të fundit Shqipëria po përballet me shtrenjtim të çmimit të ushqimeve. /abcnews.al

10:01 – Nisin protestat kundër shtrenjtimit të çmimeve, bllokohet rruga në Lezhë dhe Pogradec

Kanë nisur protestat në të gjithë vendin kundër shtrenjtimit të çmimit të ushqimeve dhe karburanteve. Qindra qytetarë kanë bllokuar rrugët në Lezhë dhe Lushnje, ndërsa ka nisur edhe mbledhja e qytetarëve para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

Tubimi në Lezhë është zhvendosur në vendin e quajtur kryeqëzimi i Zejmenit. Qytetarët kanë bllokuar rrugën duke mos lejuar lëvizjen e makinave.

Protestat kanë nisur edhe në qytete të tjera si Pogradeci dhe Durrësi. Ndërkohë, vërehet një pjesëmarrje e lartë në protestën e Tiranës, teksa qytetarët po marshojnë nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të Kryeministrisë.

09:17 –  Protesta në Bulqizë, policia arretson 5 persona, në kërkim 16 të tjerë

Pesë persona janë arrestuar nga policia e Bulqizës, pasi nkanë marrë pjesë në protetëne  djeshme. Gjithahstu 16 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas uniformave blu këta persona, dje bllokuan qarkullimin e automjeteve duke bllokuar rrugën nacionale Bulqizë-Peshkopi.

Me dhjetëra persona janë proceduar edhe në qytete të tjera të vendit, pas protestave për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Njoftimi i policisë:

Penguan qarkullimin e automjeteve duke bllokuar rrugën nacionale Bulqizë-Peshkopi dhe nuk iu bindën e kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë, arrestohen në flagrancë 5 shtetas,  procedohen penalisht 16 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe të Komisariatit të Policisë Bulqizë në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 10 dhe 11 mars 2022, në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi,  bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan për veprat  penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”,  “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”,  “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”,” Organizimi apo pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”,  shtetasit: Sh. GJ., 43 vjeç, L. P., 28 vjeç, N. A., 40 vjeç, B. A., 60 vjeç, K. T., 25 vjeç.

Si dhe filloi procedimi penal për shtetasit  : B. D., 44 vjeç, Sh. D., 42 vjeç, A. Sh., 31 vjeç, O. D., 22 vjeç, I. Ç., 35 vjeç, Z.Ç., 58 vjeç, Y. L., 25 vjeç, L. L., 31 vjeç, M. S., 40 vjeç,  M. Ç., 45 vjeç, E. L., 37 vjeç,  Sh. T., 40 vjeç, L. A., 26 vjeç, B. C., 40 vjeç, S. Gj., 37 vjeç, Y. R., 23 vjeç,  si dhe u shpall në kërkim shtetasi I. L., pasi këta shtetas me datë 11 dhe 12 mars,  kanë penguar qarkullimin e automjeteve duke bllokuar aksin rrugor  Bulqizë-Peshkopi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët që të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve, sepse do të përballen me forcën e ligjit.

08:30 – Sot protesta e madhe kundër shtrenjtimit të çmimeve në Tiranë

Protesta të shumta janë zhvilluar thuajse në të gjithë qytetet e vendit pas rritjes së çmimeve për ushqimet dhe të karburanteve.

Qytetarë, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në shumë qytete të tjera të vendit, janë organizuar në protesta masive, kundër rritjes së çmimit të naftës, të produkteve ushqimore dhe taksave.

Prej tre ditësh protestat qytetare janë fokusuar kryesisht në pika strategjike, kryesisht akse rrugore, duke ndërprerë qarkullimin e mjeteve në disa prej tyre në shenjë revolte ndaj situatës ekonomike në të cilën gjendet Shqipëria.

Ata janë organizuar në Tiranë, Lushnje, Durrës, Fier, Mirditë, Bulqizë, Korçë, Shkodër dhe në shumë qytete të tjera, por që sigurisht nuk kanë kaluar pa probleme dhe përplasje me Policinë e Shtetit, e cila është përpjekur të ruajë qetësinë dhe të zhbllokojë akset rrugore, që kanë shkaktuar kaos në trafikun e mjeteve rrugore.

Ndërkohë në kuadër të këtyre protestave këtë të shtunë në orën 11:00 është paralajmëruar një protestë masive para kryeministrisë.