Si për ironi të fatit, dy kundërshtarët më të fortë të Shqipërisë në Grupin E, Çekia dhe Polonia, janë shtete fqinje dhe ndajnë kufijtë me Gjermaninë, vendin organizator të Europianit 2024.
Por, edhe pse kaq afër, kuqezinjtë aktualisht i kanë më të mëdha shanset për të prerë një biletë për në Berlin, 1900 km larg nga Tirana. Dy vendet e para kualifikohen direkt dhe deri tani pas pesë ndeshjeve të luajtura, Shqipëria renditet e para në grup me 10 pikë dhe një golavarazh plus 5 gola. Të gjithë ëndërrojmë “Euro 2024”-ën, që nga lojtarët, stafi, tifozët. Por si shkon Shqipëria në finalet e këtij kompeticioni? “Panorama Sport” bën një llogaritje hipotetike, duke parë potencialin e rivalëve dhe situatës në tri ndeshjet e mbetura.
Për të mos i lënë asnjë gjë rastësisë, përfaqësuesesit i duhen të paktën 5 pikë për t’u kualifikuar. Shqipëria do të përballet me Çekinë në shtëpi dhe më pas do të udhëtojë drejt Moldavisë në muajin nëntor, ku pas tri ditësh do të presë Ishujt Faroe. Dy barazime dhe një fitore do t’u mjaftojnë kuqezinjve për t’u kualifikuar në “Euro 2024”. Me një total prej 15 pikësh, duke supozuar se Polonia do të fitonte të tria ndeshjet e mbetura dhe do të shkonte 15 pikë dhe barazim me ne, do të ishte ekipi i Silvinjos që do të kualifikohej për në Gjermani, kjo e mundësuar nga fitorja 2-0 në Tiranë. Pra, duhen 5 pikë të grumbulluara në tri ndeshjet e mbetura dhe Shqipëria do të shihte vetën në Europian.