Kancelarja Angela Merkel u përball me britma dhe një mori pyetjesh në Bundestagun gjerman këtë mëngjes
Nga e hëna, baret, restorantet, teatrot, pishinat dhe sallat e fitnesit do te mbyllen per nje muaj dhe organizimet publike do të kufizohen deri në dy familje maksimumi ose mbledhje deri në dhjetë persona.
Për udhëtimet që janë të panevojshme thirrja është që të shmangen ndërsa hotelet këshillohen të mos presin turistë.
Megjithatë, shkollat, çerdhet dhe dyqanet do të qëndrojnë të hapura.
Merkel u shpreh mëngjesin e sotëm se, Gjermania ishte në një “situatë dramatike” ndërsa vendi po hyn në sezonin e dimrit.
Sipas Kancelares, “populistët që pretendojnë se koronavirusi është i padëmshëm janë të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm”.
“Gënjeshtrat dhe dezinformimi, teoritë e konspiracionit dhe urrejtja dëmtojnë jo vetëm debatin demokratik, por edhe luftën kundër virusit,” tha ajo, duke shtuar se kjo e vë në rrezik jetën e njerëzve.
“Dimri do të jetë i vështirë. Katër muaj të gjatë, të vështirë. Por do të marrë fund ”.
Me rritjen e numrit të pacientëve Covid-19 në kujdes intensiv, që u dyfishua në dhjetë ditët e fundit, tha kancelarja, spitalet do të mbingarkohen “brenda disa javësh” nëse nuk ndërmerren hapa të tjerë për të frenuar përhapjen e virusit.
Por vendimi për bllokimin e ri është përballur me kundërshti të forta sidomos nga sektorët e gastronomisë.
E djathta ekstreme AfD dhe FDP kundërshtuan fort masat e reja në Bundestag.
“Ne e konsiderojmë paralizimin e sektorit të kulturës dhe gastronomisë, praktikisht të gjithë jetën e lirë të qytetarëve tanë, si të tepërt dhe të papërshtatshme”, tha bashkë-drejtuesi i AfD Alexander Gauland.
As Gauland dhe as udhëheqësi i FDP Christian Lindner nuk ofruan propozime konkrete për një plan alternativ, siç është mbyllja e shkollave.
Agjencia e kontrollit të sëmundjes së Gjermanisë të Enjten regjistroi një rekord të ri me 16,774 infeksione të reja në 24 orët e fundit, megjithëse tani për tani shkalla e infeksionit në Gjermani është ende dukshëm më e ulët se në vendet fqinje si Franca ose Belgjika.