Lufta në Ukrainë, Banka Botërore: Bota do të përballet me krizë ushqimore

0
143

Banka Botërore paralajmëron skenarin e frikshëm se bota do të përballet me një krizë ushqimore, e cila do të shtojë numrin e të varfërve në gjithë globin.Sipas kreut të këtij institucioni, David Malpass ushqimet mund të shtrenjtohen me 37 %, ndërsa shqetësues mbetet edhe niveli i borxhit në vendet në zhvillim ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Bota do përballet me një katastrofë njerëzore dhe kjo si pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë. Ky paralajmërim erdhi nga Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Ashtu si pandemia e COVID-19, kriza ushqimore do të godasë më së shumti të varfrit, ndërsa për qindra miliona persona ushqimi do pakësohet.

Ky institucion vlerëson se çmimet do të vazhdojnë të rriten duke arritur në nivelin e 37%, çka do të thotë se njerëzit do të konsumojnë më pak dhe nuk do të kenë para të mjaftueshme për gjërat e tjera siç është shkollimi.

Malpass theksoi se ka ushqim të mjaftueshëm në botë për t’u ushqyer të gjithë, por do të duhet të ketë një proces ndarjeje për ta çuar atje ku nevojitet.

Shefi i Bankës Botërore ngriti gjithashtu shqetësimet për një krizë borxhi në vendet në zhvillim ku përfshihet dhe Shqipëria. Sipas tij, 60% e vendeve më të varfra aktualisht janë ose në vështirësi borxhi ose në rrezik të lartë për të qenë në borxhe.

David Malpass: “Mbyllja e Kinës është pjesë e kësaj dhe mund të rëndojë mbi ekonominë botërore në vitin 2022. Por mbi të gjitha, lufta dhe pasojat e saj po vënë stres tek njerëzit e varfër në mbarë botën. Është duke shtuar barrën e borxhit dhe mbi barrën në shumë vende dhe gjithashtu brishtësinë e mjedisit botëror”.

Malpass këshilloi vendet, veçanërisht ato me borxh të paqëndrueshëm, të veprojnë sa më parë për të reduktuar barrën e tyre të borxhit.

Gjithashtu ai u bëri thirrje qeverive në mbarë botën të rrisin furnizimin me ushqim, energji dhe plehra kimikë kudo që të jetë e mundur dhe të vendosin masa që synojnë mbështetjen e shtresave në nevojë.